Ferronikeli dhuroi pako me ushqim për familjet nevojtare
Drenas, 6 gusht - Në prag të Festës së Fiter Bajramit, Ndërrmarja NewCo Ferronikeli, sot në Drenas, bëri shpërndarjen e ndihmave për 60 familje nevojtarë të rajonit të Drenasit dhe më gjerë.
Shpërndarja e këtyre ndihmave është bërë përmes Qendrës Islamic Relief dhe me këtë rast kordinatorja e kësaj Qendre, znj Azemine Kukaj - Kajoshi, shprehu falënderimet e sinqerta për Ferronikelin që në prag të Festës së Fiter Bajramit që, siç tha ajo, po i gëzon këto familje.
Falënderojmë Ferronikelin që për vitin e tetë me radhë po shpërndan ndihma për këto familje që vërtet janë raste të rënda sociale tha znj. Azemine.
Ndërkaq Zëvendës Drejtori i NewCo Ferronikelit, z. Gani Canolli, teksa bëhej shpërndarja e ndihmave shfrytëzoi rastin që tju uroj festën e Fiter Bajramit familjarëve të pranishëm dhe një falënderim të veçantë i bëri Qendrës Islamic Relief, për asistencën e tyre në identifikimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë.
Ndër familjarët që prisnin në radhë për marrjen e ndihmave ishte edhe Mihrije Hajdaraj nga një familje 8 anëtarëshe nga Obria e Epërme dhe Zelije Murseli 12 anëtarëshe nga fshati Brojë komuna e Drenasit, të cilat duke falënderuar Ferronikelin për ndihmat, tregonin për jetën e tyre të vështirë dhe për kushtet ekonomike shumë të rënda.
NewCo Ferronikeli përkujdeset vazhdimisht për familjet që ballafaqohen me probleme të rënda sociale, e në veçanti në raste festash çdo herë tregon humanizëm me pakot ushqimore që i shpërndan.