Ferizaj do të veprojë për mbrojtjen e ujit, tokës dhe pyjeve
Ferizaj, 22 prill - Me rastin e Ditës së Tokës, kryetari i Ferizajt Muharrem Sfarqa, u është drejtuar qytetarëve me një komunikatë, përmes së cilës ka bërë thirrje që të bashkohen forcat për ndërprerjen e degradimit të ujit, tokës dhe pyjeve.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa ka thënë së ditëve të fundit jemi dëshmitarë për përmbytjen e papritur dhe dëmtimin e dhjetëra e qindra hektarëve të tokës së punës, jo vetëm në komunën e Ferizajt, por edhe në disa komuna të tjera të Kosovës.
\"Fuqitë madhore, që nuk janë në dorën e njeriut, si: reshjet, erërat apo thatësirat, ndodhin gjithkund dhe shteti e ka për obligim të qëndrojë pranë banorëve që i pësojnë dëmet, duke ndihmuar e sanuar ato me sa të jetë e mundur\".
\"Por këtu dua ti shtroj disa pyetje e dilema, përgjigjen e të cilave e dinë edhe ata që kanë pësuar kësaj here, edhe ata që kanë pësuar herave të tjera, por edhe ata që një ditë mund të pësojnë dëme nga fatkeqësitë natyrore. A ka ndihmuar dora e njeriut që përmbytjet, kësaj here dhe herave të tjera, të jenë të këtyre përmasave?\", theksoj Sfarqa.
\"Përse i kemi shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit në deponi mbeturinash? Sikur lumenjtë dhe rrjedhat e ujit, ta kishin shtratin e lirë, pa ato qindra e mijëra tonelata mbeturina të hedhura pamëshirshëm, a do të ndodhnin këto përmbytje kështu siç po i shohim?\"
\"Të gjithë ne jemi dëshmitarë të gjendjes së mjerueshme të lumenjve e rrjedhave ujore. Ato po i mbushim me plehra gjithnjë e më shumë. Dora e njeriut po i degradon pa mëshirë çdo ditë e më shumë ato pak burime ujore që i kemi. Dora e njeriut po i degradon pa mëshirë dhjetëra e qindra hektarë tokë pune, edhe pse vendi ynë nuk ka sipërfaqe të mjaftueshme për të siguruar ushqimin për banorët e vet\", ka theksuar ai me tutje.
Dora e njeriut sipas tij degradon e shkatërron vit pas viti dhjetëra e qindra hektarë pyje, duke ndikuar jo vetëm në varfërimin e kësaj pasurie të rrallë, e cila nuk i takon vetëm brezit të sotëm, por duke e prishur drejtpeshimin mjedisor dhe duke shkaktuar ndryshime negative klimatike.
\"Pra vetë ne, banorët e komunës së Ferizajt, nuk jemi pa mëkate për vërshimet e herëpashershme, por edhe për thatësirat gjatë verës. Sepse, me lumenj të mbushur me mbeturina, nuk është larg mendsh që të ketë përmbytje. Sepse, me pyje të zhveshura, nuk është e çuditshme që të ketë më pak reshje atmosferike\", ka vlerësuar Sfarqa.
Pushteti lokal sipas tij nuk është i larë nga përgjegjësia për atë që po ndodh me fushat e Tërrnit dhe të fshatrave përreth. Por me sa di problemi i përmbytjeve në këtë rajon, është ndërkomunal.
Duhet ndërmarrje e përbashkët me Komunën e Lipjanit dhe me atë të Fushëkosovës, për të siguruar zbrazjen e Sitnicës dhe eliminimin e shkakut që ujërat përmbytin sipërfaqet e punueshme.