FER: është ironike që ky raport të quhet Raporti i Progresit
Prishtinë, 11 nëntor - Pas leximit të detajshëm të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, FER-i shfaqi shqetësimet lidhur me të gjeturat e këtij Raporti.
Shpend Ahmeti, në një konferencë për media, prezentoi qëndrimin e FER-it në lidhje me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.
Raporti i Progresit sipas Ahmetit ka një rëndësi të veçantë për Kosovën ngaqë ai tregon se sa afër ose larg është Kosova drejt integrimit Evropian.
Për dallim nga viti i kaluar, gjuha e përdorur në raportin e sivjetëm sipas tij është më e vrazhdë dhe nuk është pozitive për Kosovën.
"Ndër të tjera, raporti thekson se Kosova ka probleme me korrupsionin dhe krimin e organizuar, progresi në ekonomi është shumë i kufizuar, gazetarët vazhdojnë të jenë të kërcënuar dhe të kenë presion politik, si dhe ka ndërhyrje politike në sistemin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës", ka deklaruar Ahmeti.
Pas leximit të detajshëm të këtij dokumenti të Këshillit Evropian, FER-i konsideron se është ironike që ky raport të quhet Raporti i Progresit kur në fakt na tregon se në Kosovë në vitin 2010 pothuajse nuk ka patur progres fare.
Ai ka vleresuar se progresi që e ka arritur Kosova këtë vit është kryesisht në fushat në të cilat pinstitucionet e Kosovës nuk kanë patur fare dorë.
Kjo sipas Ahmetit e dëshmon mungesën e angazhimit të institucioneve të Kosovës drejt eliminimit të kritikave nga Raporti i njejtë vitin e kaluar.