Femrat ende para sfidave në gjetjen dhe ruajtjen e një vendi pune
Gjenevë, 8 mars - Femrat ende ndodhen para sfidave të shumta në gjetjen dhe ruajtjen e një vendi pune, thuhet në një raport të publikuar të hënën nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).
Sipas raportit, niveli i rrogave të femrave është vetëm sa 77 % e atyre të meshkujve. Me ritmet e tanishme, për zhdukjen e plotë të dallimit gjinor në rroga do të duhen mbi 70 vjet.
Në raportin e bazuar mbi të dhënat statistikore të mbledhura në 178 vende të ndryshme të botës, vihet në dukje se mosbarazia gjinore ekziston në shumë aspekte të tregut global të punës.
Sipas raportit, dallimi midis femrave dhe meshkujve në punë është zvogëluar vetëm 0.6 % në 20 vjetët e fundit, gjë që tregon përparim të paktë ose mungesë të përpjekjeve për të ndihmuar femrat të gjejnë më shumë mundësi pune. Hendeku paraqitet më i dukshëm në vendet arabe, Afrikën Veriore dhe Azinë Jugore.