08 Nëntor 2024

Falja e borxheve publike të vazhdojë deri më 15 prill 2017

Prishtinë, 16 shtator - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 109-tën me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje, rregullore, udhëzime administrative dhe vendime tjera nga përgjegjësitë e saj kushtetues dhe ligjore.  

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për faljen e borxheve publike ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme.

Qëllimi i miratimit të këtij Projektligji është zgjatja e afatit për faljen e borxheve publike për personat fizik dhe juridik, që kanë ndaj institucioneve të administratës shtetërore, komunave dhe ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës deri më 31 dhjetor 2008. Me Projektligjin e miratuar, propozohet që afati për faljen e borxheve publike të vazhdojë deri më 15 prill të vitit 2017.

Qeveria ka miratuar edhe Rregulloren për detyrat dhe përgjegjësitë e zyrtarëve për barazi gjinore në ministri dhe në komuna të Republikës së Kosovës. Rregullorja cakton detyrat, përgjegjësitë, burimet financiare dhe mënyrën e raportimit dhe bashkëpunimit në mes të Agjencisë për Barazi Gjinore dhe zyrtarëve për barazi gjinore në ministri dhe komuna.

Edhe Rregullorja për funksionimin dhe përfaqësimin e institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës në strukturat e Stabilizim-Asociimit, ka marr aprovimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Rregullorja përcakton funksionet, përfaqësimin, detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve në kuadër të strukturave të Stabilizim-Asociimit, që krijohen nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit në mes të Republikës së Kosovës në njërën anë dhe Bashkimit Evropian e Komunitetit Evropian për Energji Atomike në anën tjetër.

Pas shqyrtimit, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Udhëzimin Administrativ për plotësim ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për mallrat e liruara nga tatimi doganor. Ndryshimet e Udhëzimit do të harmonizojnë këtë akt me Traktatin e Energjisë, nënshkruese  e së cilës është edhe Kosova.

Në parim u aprovua edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Mbretërisë së Belgjikës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Po ashtu, u miratua edhe nisma për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës në pension, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Përgjegjësitë për negocimin e këtyre marrëveshjeve i ngarkohen Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, konform Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Në mbledhjen e sotme është emëruar Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, për një mandat trevjeçar.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësimin për interes publik të pronave shoqërore në zonën kadastrale Prishtinë, Komuna e Prishtinës, për nevojën e akomodimit të institucionit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Republikës së Kosovës (TRUST).

Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për mbështetjen e organizimeve të aktiviteteve kulturore dhe artistike për Ditën e Komunitetit Boshnjak në Kosovë.

Kabineti qeveritar, në mbledhjen e sotme është informuar edhe për gjendjen në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë dhe pas një analize, që do të bëhet nga një grup i veçantë qeveritar, Qeveria do të vendos lidhur me mbështetjen e këtij institucioni konform ligjeve në fuqi.

Është miratuar edhe vendimi për miratimin e nismës së Ministrisë së Financave për ndryshimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për bashkëpunim financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë.

Me qëllim të mbështetjes së organizimit të ‘Panairit të Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale”, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për përkrahje financiare të këtij aktiviteti, duke rekomanduar që në të ardhmen mbështetja e këtyre aktiviteteve të jetë e koordinuar ndërmjet të gjitha institucionet qeveritare të përfshira.

Qeveria e Kosovës ka anuluar vendimin për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, me arsyetimin se nuk janë respektuar të gjitha procedurat ligjore. Qeveria ka rekomanduar që konkursi të përsëritet konform procedurave dhe dispozitave ligjore në fuqi.

Zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq foli për çështjen e pastrimit të Kishës që gjendet në hapësirat e kompleksit universitar në Prishtinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)