Falimenton firma më e madhe e prodhimit të bukës në Greqi
Athinë, 27 qershor - "Katselis", një ndër ndërmarrjet më të mëdha të prodhimit të bukës në Greqi, deklaroi ditët e fundit se i ka dorëzuar gjykatës së Athinës kërkesën për falimentim.
Në kërkesë vihet në dukje se ndërmarrja ka falimentuar për borxhet e pashlyera. Siç mësohet, gjatë vitit të fundit, punonjësit e "Katselis"-it nuk kanë marrë rrogë.
Falimentimi i "Katselis-it" do të nxjerrë të papunë 500 punonjës dhe 500 të tjerë do të humbin vendet e punës në kompanitë partnere. Por gjëja më negative është se ka shumë mundësi që këta 1000 punonjës të mos marrin asnjë kompensim.
Sipas të dhënave të fundit nga Bashkimi Europian, papunësia në Greqi arrin në 27 %, ndërsa në grup-moshën nga 15 deri në 24 vjeç shkon deri në 62.5%. Këto janë shifrat më të larta të papunësisë në të gjitha vendet anëtare të BE-së.