Falimentimi, I vetmi shpëtim për Greqinë
Athinë, 29 mars - Në intervistën e tij Prof. Spiros Makridhaqis jo vetëm që nuk përjashton por e sheh dhe si zgjidhje falimentimin e vendit dhe e cilëson hyrjen e Greqisë në Eurozonë si një gabim të madh dhe jo sukses.
Në një kohë që zgjidhja evropiane nga samiti dyditor, me aprovimin eventual të mekanizmit të mbrojtes së euros, konsiderohet si e vetmja alternativë shpëtimtare për Greqinë, Spiros Makridhaqis, profesor i universitetit francez ENSEAD dhe atij të Pireut njëkohësisht, mund të konsiderohet zëri tjetër, pse jo edhe heretik për opinionin dominues në vendin e tij.
Titulli i librit të tij Duke vallzuar me fatin, me bashkautorë kolegët e tij evropianë Robin Hogart dhe Anil Gaba, vjen për tu përligjur më së miri dhe në rastin e qorrsokakut financiar të Greqisë.
Vërtet, siç theksohet dhe në idenë e tij qëndrore për pamundësinë e parashikimeve ekzakte në fushat më të rëndësishme të jetës, krizën greke nuk e parashikoi njeri, por ajo mund të evitohej në qoftë se do të ishte vepruar në kohë, duke pranuar se akoma dhe me borxh 60-70 përqind vendi rrezikohet me falimentim.
Nuk e konsideroj unë të mjaftueshëm. Historia ka treguar se vende që kanë 60-70 përqind borxh mund të falimentojnë. Shumë nga ato kanë falimentuar. Një libër që qarkulloi së fundi Kësaj radhe është ndryshe. Tetë shekuj marrëzi financiare (This Time is Different: Eight Centuries of Financial Folly të M. Reinhart-Kenneth Rogoff) - thotë se për vendet që kanë mbi 60 përqind borxhe gjërat fillojnë dhe bëhen shumë të rrezikshme.
Nuk ka dyshim, siç pranon profesori grek, se me borxhin sa dyfishi i minimales së parashikuar Greqia është dhe dyfish e rrezikuar nga falimentimi. Shpresojmë të kërcejmë me fatin. Ajo që duhet të bëjmë është që të punojmë fort me qëllim që të mos shkojmë në vallen e Zallongut, thotë ndërkohë Makridhaqis për gjendjen kritike të vendit. Ky është edhe nënteksti simbolik i valles së grave suliote që përfundonin në greminë me foshnjat për të mos rënë në duart e armikut.
Me realizëm dhe pa reagimet emocionale të klasës politike por edhe pjesës dërmuese të opinionit Makridhaqis shpjegon edhe rezervimin gjerman ndaj ndihmës eventuale financiare komunitare për Greqinë. Interesi kombëtar i gjermanëve është një euro e fuqishme. Problemi ynë është krejt tjetër. Ne duam të kreditohemi me kamata të ulëta.
Të dyja nuk shkojnë mirë. Në qoftë se ju japim para me kamata të ulëta, thonë gjermanët, ju do të vazhdoni të bëni të njejtat gjëra. Nuk do të keni disiplinë financiare. Ky është shqetësimi i tyre i madh. E di, kemi edhe ne të drejtën tonë se u themi pse nuk na i thatë më parë këto gjëra. Se papritur sikur na thonë se iu lëmë në mëshirën e fatit.
Por nga ana tjetër, edhe gjermanët kanë të drejtë në qoftë se e sheh dikush çështjen me objektivitet, nga pozicioni i tyre. Të thonë, ku do të vejë kjo punë? Si do të reduktoni borxhin tuaj? Kur ne kemi një borxh që në vitin 2012 do të arrijë pothuajse 350 miliardë euro?
Që të bëhemi konkurues duhet të kthehemi pas te dhrahmia
A mund të jetë në këtë kushte zgjidhja e Fondit Monetar Ndërkombëtar e vetmja alternativë, që fillimisht qeveria e linte të hapur për të blofuar me evropianët dhe nga opinioni shihet tani si skenar dëshpërues dhe bile disfatë kombëtare?
Makridhaqis shkon një hap më tutje dhe thotë atë që zyrtarisht përgënjeshtrohet në mënyrë kategorike. E vetmja alternativë për mua është falimentimi. Ajo është. Edhe FMN-ja në fund të fundit do të na vendosë kushte të tilla që do të shtrëngojmë më shumë rripin, me qëllim që të evitojmë falimentimin.
Një gjë e tillë, i kujtojmë bashkëbiseduesit tonë, konsiderohet si fundi i botës. Këtë nuk e them unë. E thotë Martin Feldstein . Është një ekonomist shumë i mirë amerikan. Që të bëhemi konkurrues duhet të kthehemi pas te drahmia. Të fillojmë nga një pikë zero. Si do ta shlyejmë borxhin prej 350 miliardë eurosh, kur të ardhurat e shtetit aktualisht janë vetëm 50 miliardë dhe na duhet të paguajmë të paktën 10 miliardë në vit për të ulur borxhin? Ajo çka na duhet është që të bëhemi konkurrues, që të mund të shesim produktet tona në tregjet e huaja, të konkurrojmë gjermanët.
Makridhaqis pra nuk përjashton kështu mundësinë që qytetarët grekë të zënë në dorë sërish drahminë, pavarësish se qeveria e cilësoi fantazi keqdashëse.
Gabim i madh hyrja në euro
Bile duke shkuar kundër rrymës e radikalizon më tepër qëndrimin e tij dhe thyen tabunë e fitores historike për hyrjen e vendit në eurozonë. Atë e them tani, më pas. Kur hymë në euro mendonim të gjithë, edhe unë, se ishte një arritje e madhe, por kjo më pas u duk se ishte gabim i madh. Për të vetmen arsye se nuk u bëmë konkurrues. Nuk bëmë asgjë. Bëmë bile të kundërtën. U bëmë gjithnjë e më pak konkurrues.
Por a mund të kthehet dhe si kriza në shans?
Së pari qjo që duhet të ndodhë është qe sindikalistët, nënpunësit shtetërorë, gjithë njerëzit të kuptojnë se duhet të bëhemi konkurrues thotë shkurt Makridhaqis për të shtuar se kjo kërkon që të ndërgjegjësojmë se është faji ynë në radhë të parë që arritëm në këtë pikë.