ExxonMobil gjobitet me 2 milionë dollarë për mosrespektim të sanksioneve
Washington, 21 korrik - Departamenti i Thesarit vendosi të enjten një gjobë prej 2 milionë dollarë ndaj korporatës "ExxonMobil" për mosrespektimin e sanksioneve ndaj Rusisë në një kohë që sekretari i tanishëm i Shtetit, Rex Tillerson, drejtonte ende grupin e naftës.
Exxon është vënë nën valën e kritikave në majin e 2014-s se ka shkelur sanksionet që lidhen me Ukrainën. Dy nga filialet e saj kishin nënshkruar kontrata me një zyrtar të kompanisë ruse të naftës që ishte në listën e zezë të sanksioneve të Departamentit të Thesarit.
Grupi amerikan i naftës është akuzuar se ka nënshkruar dokumente që lidhen me projekte të shfrytëzimit të gazit dhe naftës në Rusi me Igor Sechin-in, presidentin e gjigantit rus të naftës dhe gazit \"Rosneft\".
Dy muaj më parë në kuadër të sanksioneve ekonomike amerikane të dekretuar në përgjigje të veprimeve të Rusisë që synojnë destabilizimin e Ukrainës, pasuritë e Sechin-it u bllokuan. Ishte e ndaluar për çdo shtetas apo kompani amerikane të bënte biznes me të, vë në dukje Departamenti i Thesarit. Grupi \"Rosneft\" nuk ishte subjekt i sanksioneve.