Evropa e mbërthyer nga pasiguria financiare
Frankfurt, 16 qershor - Evropa është mbërthyer nga pasiguria financiare dhe politike, ndërkohë që shenjat e reja flasin për rënie ekonomike dhe zgjedhjet e reja në Greqi mund të përcaktojnë fatin e saj në eurozonë.
Kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, paralajmëroi sot se eurozona përballet me \"rreziqe serioze të rënies ekonomike,\" kryesisht për shkak të \"rritjes së pasigurisë.\" Ai tha se banka qendrore është e gatshme të ofrojë më shumë para për bankat e shëndetshme për të shmangur një tkurrje të kreditimit nëse kushtet ekonomike përkeqësohen.
Një raport i ri i Bashkimit Evropian thotë se numri i njerëzve që kanë punë në eurozonë ra në masën 277,000 në tre muajt e parë të vitit, tremujori i tretë radhazi që niveli i punësimit bie.
Por pasiguria është më e lartë në Greqi, ku të dielën do të bëhen zgjedhje parlamentare, për herë të dytë në gjashtë javë. Votimi i së dielës është kthyer në një referendum nëse Greqia do të qëndrojë në eurozonë apo do të bëhet vendi i parë që braktis euron.