Evropa duhet të marrë masa urgjente për krizën financiare
Londër, 3 tetor - Kryeministri britanik David Kameron thotë se Evropa duhet të marrë masa urgjente për të zgjidhur problemet e saj financiare përndryshe rrezikon të tërheqë me vete ekonominë globale.
Zoti Kameron i bëri komentet sot në Mançester, në ditën e hapjes së konferencës vjetore të Partisë Konservatore. Ai u zotua se do ti përmbahet planit të koalicionit të tij për uljen e deficitit, pavarësisht nga shqetësimet në rritje të shprehura nga disa analistë se masat për shkurtime të vendeve të punës mund të pengojnë rritjen e ekonomisë britanike.
Ai i tha gjithashtu televizionit se Britania duhet të mbetet pjesë e Bashkimit Evropian dhe shtoi se në javët e ardhshme të 17 vendet e eurozonës duhet të veprojnë për të zgjidhur krizën e borxhit. Britania nuk është anëtare e eurozonës.
E ardhmja ekonomike e Britanisë pritet të jetë tema mbizotëruse në konferencë katër-ditore të Mançesterit.
Jashtë konferencës, mijëra demonstrues marshuan për të protestuar kundër shkurtimeve të shpenzimeve qeveritare që kanë çuar në pushimin e 250.000 punëtorëve të sektorit publik gjatë vitit të kaluar.