Eurozonë: Norma e interesit e pandryshuar
Bruksel, 5 mars - Banka Qendrore Evropiane i ka lënë të enjten të pandryshuara normat e interesit në nivelin 1 përqind, për të 10-in muaj rresht, ndërkohë që përgatitet të shpalosë aksionet e reja për të tërhequr masat e emergjecës që i ndërmori për të mbështetur tregjet financiare.
Vendimi u mor sot nga këshilli prej 22 anëtarësh dhe nuk është se shkaktoi ndonjë surprizë në tregje, duke mbajtur parasysh dobësinë e rritjes ekonomike të eurozonës dhe perspektivën e inflacionit.
Inflacioni vjetor në rajonin prej 16 vendesh të eurozonës ra 0,9 përqind në muajin shkurt, sipas të dhënave të publikuara më herët gjatë kësaj jave, duke e kapërcyer sërish në një masë të madhe marxhinën e synimit të BQE-së për një normë poshtë, por pranë nivelit të 2 përqindëshit.
Mëkëmbja ekonomike e eurozonës, ndërkohë, mbetet pa gjallëri. Prodhimi i brendshëm bruto u rrit vetëm me 0,1 përqind në tremujorin e fundit 2009, konfirmoi zyra e statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat. Rritja është nxitur nga eksportet, ndërkohë që shpenzimet konsumatore kanë mbetur në vend.
Të mërkurën në mbrëmje, BQE-ja lavdëroi planet e fundit të masave shtrënguese të ndërmarra nga Athina, por presidenti i bankës, Jean-Claude Trichet ka shumë gjasa të sinjalizojë sërish kundërshtimin e Bankës për një program ndihme nga vendet e tjera të eurozonës, apo nga Fondi Ndërkombëtar Monetar.
Eurozona do veprojë e koordinuar
Eurozona është e gatshme të veprojë në një mënyrë të koordinuar dhe të vendosur për të ruajtur stabilitetin e vet financiar, por nuk është e nevojshme që të ndërmarrë veprime të tilla tani për tani, deklaroi Komisioni Evropian të enjten.
Zëdhënësi i Komisionit, Amaden Altafaj, deklaroi se masat shtrënguese të prezantuara nga Greqia të mërkurën, ishin një paketë e qëndrueshme, që mund ti jepte vendit mundësinë të përmbushte brenda këtij viti masat e parashikuara për të shkurtuar deficitin buxhetor.
Kjo është një paketë solide, deklaroi përpara mediave evropiane zëdhënësi Altafaj. Me paketën e paraqitur dje, Greqia është tani në pozitë të atillë, që do ti mundësojë të përmbushë objektivat ambicioze të lidhura me deficitin, veçanërisht për vitin 2010, në përputhje me vullnetin e përgjithshëm që ekziston, deklaroi ai.
Këto masa janë mënyra më e mirë për të forcuar besueshmërinë e shtetit grek, në lidhje me financat e veta publike, dhe kjo sigurisht që do të ketë ndikimin e vet, vazhdoi Altafaj.