Eurozona, rritja ekonomike e pandryshuar në tremujorin e katërt 2009
Bruksel, 8 prill - Aktiviteti ekonomik në zonën euro ka mbetur i pandryshuar në tremujorin e katërt të vitit 2009, njoftoi sot zyra evropiane e statistikave në vlerësimin e parë, duke rishikuar me rënie shifrat e komunikuara më parë.
Eurostat parashikonte deri tani një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto PBB me 0,1 për qind në tremujorin e katërt, që ishte në ngadalësim të dukshëm pas një rritje të PBB-së me 0,4 për qind në tremujorin e tretë, kur zona euro doli nga recesioni.
Në detaje, eksportet janë rritur me 1,9 për qind në tremujorin e katërt, më pak se në tremujorin e tretë (+2,9 për qind). Rritja e importeve është ngadalësuar gjithashtu në +1,3 për qind pas +2,9 për qind në tremujorin e tretë.
Investimet kanë rënë edhe më tepër (-1,3 për qind pas -0,9 për qind në tremujorin e tretë). Konsumi ka mbetur i pandryshuar (pas -0,1 për qind në tremujorin e tretë).
Për të gjithë Bashkimin Evropian, Eurostati konfirmoi vlerësimin për një rritje prej 0,1 për qind në tremujorin e katërt.
Ai konfirmoi gjithashtu vlerësimet për të gjithë vitin 2009, kur aktiviteti pësoi një rënie prej 4,1 për qind në zonën euro dhe 4,2 për qind në BE.