16 Nëntor 2024

Eurozona mirëpret propozimet e reja greke

Bruksel, 23 qershor - Ministrat e financave të eurozonës mirëpritën propozimet e reja greke për një marrëveshje që Greqisë t’i jepen kredi shpëtimi në shkëmbim të reformave.

Por ministrat thanë sot se propozimet kërkojnë studim të hollësishëm dhe se do të duhen disa ditë për të përcaktuar nëse ato mund të çojnë në marrëveshje.

Ministrat e financave të Eurozonës ranë dakord të mblidhen këtë javë, pasi Greqia t’i ketë diskutuar hollësitë me kreditorët e saj ndërkombëtarë - Komisionin Evropian, Bankën Qendrore Evropiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Jeroen Dijsselbloem, kreu i Eurogrupit prej 19-vendesh, komentoi në një konferencë për shtyp në Bruksel:

\"Sot në mëngjes morëm propozimet e reja nga qeveria greke, të cilat ne i mirëpritëm. Kjo shihet si një hap pozitiv në këtë proces, por duke pasur parasysh kohën tepër të shkurtër që kanë patur institucionet për të shqyrtuar propozimet, ato nuk janë në gjendje të na japin një vlerësim të plotë. Ne do të punojmë me këmbëngulje në ditët e ardhshme, me institucionet dhe me qeverinë greke, për të arritur marrëveshje këtë javë,\" tha zoti Dijsselbloem.

Kreu i Eurogrupit e përshkroi propozimin grek si gjithëpërfshirës dhe si \"një bazë reale të rifilluar bisedimet\", por tha se mbetet për t\'u parë nëse shifrat e propozuara mjaftojnë për t’i bërë të qëndrueshme financat publike të Athinës.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për çështjet ekonomike, Pierre Moscovici tha se ende nuk është arritur një marrëveshje.

\"Ky propozim është një bazë e shëndoshë dhe më në fund një bazë e gjerë, por ende është e nevojshme të punohet. Ne po kërkojmë një marrëveshje, por marrëveshje ende nuk ka,” tha zoti Moscovici.

Zyra e Kryeministrit grek, Alexis Tsipras, e quajti propozimin e ri “një marrëveshje me përfitim të dyanshëm, që do t’i japë zgjidhje përfundimtare problemit.”

Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të eurozonës do të mbajnë sonte një takim të ngutshëm mbi krizën. Megjithatë, zyrtarët e bënë të qartë se nuk do të negociojnë mbi hollësitë e programit, por thjesht do të përpiqen të bien dakord për një afat politik për arritjen e një marrëveshjeje. Ata hodhën poshtë një lajm në mediat gjermane se takimi ishte anuluar.

Takimi i nivelit të lartë u thirr pas dështimit të bisedimeve lidhur me kushtet e kredisë së shpëtimit prej 17.5 miliard dollarësh për Greqinë. Bisedimet e javës së kaluar dështuan sepse qeveria nuk pranoi të zbatonte masat shtrënguese ekonomike të kërkuara nga kreditorët evropianë. Udhëheqësit grekë thonë se shkurtimet janë tepër të mëdha dhe po e paralizojnë ekonominë e vendit.

Tani për tani diskutimet janë përqendruar tek mënyrat se si Greqia të mund t’i paguajë Fondit Monetar një këst kredie prej 1.8 miliard dollarësh deri në fund të qershorit.

Nëse pagesa nuk bëhet, kjo do të krijonte kushtet për një largim të mundshëm të Greqisë nga grupi i vendeve që përdorin euron.

Mijëra demonstrues marshuan dje në qytete të ndryshe evropiane si shenjë solidariteti kundër masave shtrënguese ekonomike në prag të takimeve të sotme. Ata thanë se sektori financiar duhet të mbajë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar.

Gazeta britanike Guardian, duke cituar zyrtarët pranë bisedimeve, shkruante se kreditorët po propozojnë një plan për ta zgjatur afatin e pagimit të borxhit me gjashtë muaj dhe t’i japin Greqisë rreth 15 miliard dollarë në formë ndihme emergjente.

Sipas gazetës, bisedimet vazhduan deri të dielën vonë dhe zgjidhja do të varej nga miratimi i Greqisë për të pranuar masa të tjera shtrënguese, që deri tani ajo i ka refuzuar.

Të premten, Banka Qendrore Evropiane ra dakord të jepte një fond shtesë prej 3.4 miliard dollarësh për bankat greke, për shkak se gjatë javës së kaluar, klientët e shqetësuar kishin tërhequr më shumë se 4 miliard dollarë nga kursimet e tyre në këto banka.

Agjencia e lajmeve Reuters, njofton se megjithatë, klientët tërhoqën edhe 1.1 miliard dollarë të tjera deri të dielën dhe Banka Qendrore po shikon mundësinë të japë përsëri ndihmë financiare nga frika se bankat mund të mos jenë në gjendje të hapen të martën.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)