Eurozona miraton këstin prej 49.1 miliardë euro për Greqinë
Bruksel, 13 dhjetor - Ministrat e Financave të Eurozonës kanë miratuar këstin e radhës të ndihmës për Greqinë, në vlerë prej 49.1 miliardë eurosh.
Komisionari për Ekonomi i Bashkimit Evropian, Olli Rehn, ka thënë se vendimi i sotëm shënon fundin e muajve të gjatë të pasigurisë për vendin e goditur nga borxhet.
Qeveria greke ka nxituar në përmbushjen e reformave të kërkuara nga kreditorët ndërkombëtarë, për të shmangur falimentimin eventual.
Vendimi vjen pasi ministrat e Financave të 27 vendeve të Bashkimit Evropian janë pajtuar mbrëmë për mbikëqyrjen e bankave të Eurozonës nga viti 2014.
Në bazë të marrëveshjes, e cila shihet si një hap i rëndësishëm drejt unionit bankar, të paktën 150 banka të mëdha do të jenë nën mbikëqyrjen direkte të Bankës Qendrore Evropiane.