Eurozona humbëse nëse ruan strukturën aktuale buxhetore
Bruksel, 16 shtator - Drejtori i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Dominik Strauss-Kahn theksoi në një fjalim se zona euro mund të ishte humbëse në ekonominë botërore, nëse ruan strukturën aktuale buxhetore.
"Të metat e rregullave buxhetore të bashkimit monetar evropian, që nuk janë të dobishme për të penguar disa vende të mbajnë deficitet të paqëndrueshme, kanë shkaktuar një krizë të rëndë", konfirmoi Strauss-Kahn.
"Nëse drejtuesit nuk marrin masa të guximshme për riforcimin e qeverisjes ekonomike, unë shikoj vërtet një rrezik të madh në hapësirën e një gjenerate dhe shtetet anëtare nuk do të jenë në gjendje të konkurrojnë vendet më dinamike në botë'', shtoi ai.
Për drejtuesit e FMN-së, reduktimi i borxhit publik është një prioritet për vendet e zonës euro.