Eurozona do t'i jap Spanjes 30 miliardë euro kredi
Bruksel, 11 korrik - Ministrat e Financave të Eurozonës, të cilët realizuan një takim në Bruksel, ndezën dritë të gjelbër për t'i transferuar ekonomisë spanjolle një kapital prej 30 miliardë eurosh.
Shefat e Financave të zonës euro ranë dakord për mënyrat e ndihmës së tyre për Spanjën, me dhënien e kredisë së parë prej 30 miliardë eurosh në fund të muajit, njoftoi drejtuesi i Eurogrupit dhe Kryeministri i Luksemburgut, Zhan-Klod Junker.
"Ne kemi arritur një marrëveshje politike për një projektmemorandum për t'i ardhur në ndihmë sektorit financiar spanjoll'', theksoi Junker në përfundim takimit që zgjati rreth nëntë orë.
Presidenti i Eurogrupit vuri në pah se afati i shlyerjes së kredisë, që do t'i sigurohet Spanjës nëpërmjet Fondit Evropian të Stabilitetit Financiar (EFSF) derisa të fillojë funksionaliteti i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit (ESM), mund të jetë rreth 15 vjet.
Kurse për vendimin lidhur me Qipron e Jugut, i cili është vendi i fundit që ka aplikuar për ndihmë financiare pranë Eurozonës, Junker sqaroi se nuk do të qartësohet përpara muajit shtator.