22 Dhjetor 2024

Eurostati aprovon Klasifikimin e Rajoneve Statistikore në Kosovë

Prishtinë, 25 korrik - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka pranuar zyrtarisht Aprovimin e Eurostatit për Klasifikimin e Rajoneve Statistikore (NUTS).

Në një letër nga Drejtoresha e Përgjithshme e Eurostatit, znj. Mariana Kotzeva, dërguar Zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), z. Ilir T. Berisha, është bërë i ditur Aprovimi për Klasifikimin e Rajoneve Statistikore në Kosovë.

Klasifikimi i Rajoneve Statistikore ka rëndësi të madhe për Kosovën dhe Sistemin Statistikor të Kosovës, pasi që është përcaktuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian për Energji Atomike në njërën anë, dhe Kosovës, në anën tjetër.

MSA (Neni 75) parashikon transmetimin (dërgimin) e të dhënave të BPV-së për kokë banori nga Kosova në Eurostat në nivelin NUTS II. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tashmë është duke i ofruar Eurostatit të dhënat e BPV-së dhe tregues të tjerë statistikorë në nivel kombëtar.

Për më tepër, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë të dhëna statistikore zyrtare në njësitë më të ulëta territoriale, të krahasueshme me të dhënat rajonale të vendeve anëtare të BE-së, EFTA-së dhe vendeve të tjera kandidate.

Sipas Letrës së dërguar nga znj. Kotzeva, Klasifikimi i Rajoneve Statistikore mund dhe duhet të përdoret për furnizim të informacionit statistikor rajonal nga Kosova. Ky Klasifikim i Rajoneve Statistikore do të përfshihet zyrtarisht si klasifikim NUTS për Kosovën për një anëtarësim të mundshëm në Bashkimin Evropian (BE).

Klasifikimi i Rajoneve Statistikore (NUTS) hyn në fuqi menjëherë.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)