Europa rikthehet në panikun e krizës së borxheve

Bruksel, 17 prill - Interesat e boxheve sovrane spanjolle u rritën sërish në mbi 6 për qind të hënën, ndërsa investitorët u shprehën të shqetësuar mbi buxhetin e këtij vendi, gjë që solli rënien e euros dhe të interesave të bondeve gjermane, të cilat vlerësohet se janë më të sigurtat në kontinent.
Ndjesia e krizës goditi edhe çmimet e lëndëve të para ndërkohë që bursat evropiane pësuan një rritje të lehtë pas humbjeve të konsiderueshme të përjetuar javën e kaluar.
Tashmë jemi kthyer te klima e krizës së plotë, komentoi një ekspert për agjencinë Reuters. Tashmë duket më e mundshme që edhe Spanja të ketë nevojë për ndonjë lloj pakete shpëtimi.
Banka Qendrore Europiane nuk dha sinjale të qarta për mundësinë e blerjes së bondeve sovrane prej saj për të lehtësuar situatën.
Bondet dhjetëvjeçare spanjolle u shitën vetëm përkundrejt interesit të ofruar prej 6.15 për qind ndërsa ato pesëvjeçare kapën kuotën 5 për qind. Interesat mbi 6 për qind qenë shënuar vetëm dhjetorin e kaluar, kur kriza greke shënoi kulmin.
Reuters thotë se zakonisht pas kuotës 6 për qind, norma e rritjes së interesave përshpejtohet dhe në rast se arrihet kuota 7 për qind, atëhere borxhet e Spanjës kthehen në një barrë të papërballueshme për këtë vend.
Çmimi i naftës në bursën e Londrës ra me 1.28 dollarë për fuçi dhe aktualisht është 119 usd. 16 Prill 2012