Euro do të ketë një pamje të re në vitin 2024
Frankfurt, 7 dhjetor - Banka Qendrore Evropiane (ECB) ka bërë të ditur se kartëmonedhat euro do të kenë një pamje të re në vitin 2024, respektivisht ky do të jetë ri-dizajnimi i parë i tillë në më shumë se dy dekada.
Sipas njoftimi nga ECB-ja, një grup tematik këshillimor me një ekspert nga çdo vend i euro-zonës do të paraqesë një listë të ngushtë me pamje të reja në këshillin drejtues.
“Kartëmonedhat euro janë këtu për të qëndruar. Ato janë një simbol i qartë dhe i dukshëm që ne qëndrojmë së bashku në Evropë, veçanërisht në kohë krizash dhe ka akoma një kërkesë të fortë për to”, tha Christine Lagarde, presidentja e ECB-së.
Modelet aktuale të kartëmonedhave euro bazohen në një pamje të “moshës dhe stilit”, të përfaqësuara nga dritare, dyer dhe ura.
Lagarde tha se pamja e kartëmonedhave do të ri-shqyrtohet për t’i bërë ato më të lidhura me evropianët e të gjitha moshave dhe prejardhjeve.