EULEX: Kemi fakte për miliona të keqpërdorura
Prishtinë, 7 maj - Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të EULEX-it, Johannes van Vreeswijk, ka pranuar se është zemëruar nga komentet e kryeministrit Hashim Thaçi dhe të zyrtarëve të tjerë kosovarë për hetimet e EULEX-it ndaj asaj që ai e klasifikon si rasti Limaj. Në një intervistë për Kohën Ditore, të cilën kjo e ka botuar në numrin e sotshëm, ai ka garantuar zyrtarët dhe qytetarët kosovarë se EULEX-i ka fakte për këtë rast dhe se po heton edhe në gjashtë raste të tjera të korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Ai u bënë thirrje të gjithë zyrtarëve në Kosovë që kanë qenë ose janë të lidhur me krimin e organizuar që të fillojnë të djersiten.
Sipas tij, kryeministri dhe çdo ministër duhet të ndihen rehat, sepse EULEX-i nuk do t`u përzihet në punët e zyrave të tyre, nëse nuk ka diçka të jashtëligjshme.
Por kur ka shkelje ligjit, mos të mendojnë se ne do të trokasim në dyer dhe t`i pyesim se a bën të hetojmë, ka thënë Van Vreeswijk. Ky prokuror holandez, por me mision në Kosovë, ka thënë se e ka të qartë se si do ta pastrojë Kosovën nga krimi i organizuar dhe garanton se krimi do të luftohet në çdo pjesë të vendit, në të gjitha nivelet.
Sipas tij, të dyshuarit e rastit të MTPT-së, ministri Fatmir Limaj dhe shefi i Prokurimit Nexhat Krasniqi dyshohen për veprat penale: shpëlarje parash, krim i organizuar, shpërdorim i detyrës zyrtare, mashtrim në zyrë dhe ryshfet. Në total për këto vepra, sipas tij, bazuar në ligjet e Kosovës mund të dënohesh me 55 vjet burgim.
Van Vreeswijk shpjegon se të dyshuarit që po hetohen nga EULEX-i janë të profileve të larta dhe nuk janë vetëm zyrtarë nga PDK-ja.
Kemi edhe të partive të tjera, nëse kjo e siguron kryeministrin se ky aksion nuk është sulm ndaj partisë së tij, ka thënë prokurori.
Ai i ka ftuar të gjithë që të mos mendojnë se zyrtarët e EULEX-it janë budallenj që do të rrezikonin kredibilitetin e tyre duke ndërhyrë pa pasur argumente dhe fakte. Johannes ua ka tërhequr vëmendjen të gjithëve se korrupsioni është krim serioz dhe se ata që po e bëjnë të jenë të sigurt se EULEX-i do t`i ndalë.