29 Prill 2024

Etiopi, thellohet kriza e urisë

Addis Ababa, 25 korrik - Thatësira e shekullit në lindje të Afrikës ka prekur krahas Somalisë, veçanërisht Etiopinë. Tetë milionë njerëz, një e dhjeta e popullsisë, janë kronikisht të paushqyer.

„Unë po kthehem direkt nga rajoni i Somalisë. Kam biseduar aty me gra, të cilat ecin pesë orë me fëmijët e tyre për të kërkuar ushqim dhe kujdes shëndetësor. Vazhdimisht shumë fëmijë vuajnë nga ushqimi i pamjaftueshëm. Nomadët humbin bagëtinë e tyre dhe me këtë edhe bazën e ekzistencës së tyre për të jetuar."

Koordinatorja e OKB-s për ndihma emergjente, Valerie Amos në mënyrë të qartë vuri në pah kur doli para shtypit në Addis Abeba se duhen dhënë ndihma ushqimore shtesë për Etiopinë.

Kryeministri i Etiopisë Meles Zenawi, e kishte formuluar kështu vitin e kaluar synimin kryesor të planit pesëvjeçar të qeverisë së tij:  "Shpresa jonë është që në pesë vitet e ardhshme të prodhojmë mjaft jo vetëm për konsumin tonë, por madje edhe  për eksport" .

Veç kësaj deri në 2015 prodhimet bujqësore të Etiopisë duhet të rriteshin jo më pak se dyfish.

Por realiteti i prishi  shpejt planet e kryeministrit të Etiopisë: Në shkurt të këtij viti qeveria e tij së bashku me Programin Botëror të Ushqimit  të Kombeve të Bashkuara u desh të luteshin për ndihma urgjente për tre milionë njerëz të kërcënuar nga uria. Ekspertët besojnë se ky numër mund të jetë më i lartë.

Atëherë, tigër apo lypës? Prej vitesh Etiopia raporton rritje ekonomike dyshifrore, shifra të cilat megjithatë rregullisht janë korrigjuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë një në dhjetë vetë, në vendin e dytë për nga madhësia e popullsisë në Afrikë, është i varur nga ndihmat emergjente për ushqim.

Zyrtarisht  Kombet e Bashkuara bëjnë mungesën e shirave sezonale në fund të vitit të kaluar përgjegjës për problemet e furnizimit. 

Brenda vendit organizatat  humanitare ankoheshin për qasjet ristriktive në rajonin veçanërisht të prekur më rëndë Somali, i njohur më mirë si Ogaden: aty punonjësit humanitarë  për shkak të luftimeve  të vazhdueshme prej vitesh mes trupave qeveritare dhe rebelëve të Frontit Çlirimtar Ogaden, nuk kanë qasje në mjaft qendra administrative.

Helmut Hess,  drejtor prej vitesh  për Afrikën dhe ekspert i Afrikës Lindore Bukë për Botën, shton edhe një shkak tjetër "man made", pra të shkaktuar nga njeriu, si faktor për krizën e ushqimit të Etiopisë:  „… furnizimi i vetë popullsisë nuk është synimi kryesor i politikës agrare. Prodhimi për eksport gjithmonë ka qenë i favorizuar dhe ishte mbështetur përkitazi.

Një faktor i ri për këtë është që do t'ju jepen tokat bujqësore me qira investitorëve të huaj jo për të prodhuar artikuj ushqimorë por biokarburante ose prodhime ushqimore, jo për konsumin rajonal, por për eksport" .

Pas kritikave masive  ndaj blerjes së sipërfaqeve të tokave bujqësore pjellore nga firmat agrare nga India, Kina dhe Arabia Saudite, agjencia etiopiane e investimeve ka arkëtuar të ardhurat nga kontratat e qerave të tokës dhe po përpiqet për më shumë transparencë.

Në të ardhmen kontratat do të jenë online dhe kështu më të qarta për publikun. Ndërkohë vetëm në provincën pjellore Gambella janë dhënë deri tani rreth 900 licenca toke për kultivimin e produkteve për eksport si sojë, oriz ose biokarburante, me çmimin dy dollarë për hektarë në vit.