Era rrezon kulmin e shkollës në Bajgorë
Mitrovicë, 10 dhjetor - Një pjesë e kulmit të shkollës fillore Mehë Uka në fshatin Bajgorë të Komunës së Mitrovicës, është rrëzuar si pasojë e erës së madhe të enjten në mbrëmje.
Poashtu bëhet e ditur se era ka shkaktuar edhe dëme tjera në pjesë të ndryshme të komunës, por përveç tyre nuk ka pasur të lënduar.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Behxhet Bala, tha se të premten është njoftuar për rrëzimin e një pjesë të pullazit të shkollës në Bajgorë.
Ai sqaroi se menjëherë kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe kanë verifikuar se era ka dëmtuar më pak se gjysmën e mbulojës së kësaj shkolle.
Drejtori Bala premtoj se do të merren masa të shpejta që kulmi i asaj shkolle të riparohet në mënyrë që të mos ketë dëme të tjera, si pasojë e gjendjes së krijuar.
Inxhinierët kanë dalur në terren për të bërë paramasën për riparimin e pjesës së dëmtuar të pullazit në mënyrë që menjëherë të filloj puna.
Lidhur me rastin e rrëzimi të një pjese të pullazit në këtë shkollë, drejtori i saj, Sabit Ibishi, tregoi se sipas dëshmitarëve një pjesë e mbulojës është rrëzuar të enjten në mbrëmje rreth orës 19:00.
Ai tha se në atë kohë nuk ka pasur asnjëri në shkollë dhe në oborrin e saj.
Drejtori sqaroi se mësimi të premten është zhvilluar normalisht, por tha se ka nevojë të ndërhyhet urgjentisht në mënyrë që të reshurat e borës apo të shiut në këtë rajon të mos shkaktojnë dëme të tjera.
Në këtë shkollës, sipas tij, mësimin e ndjekin 250 nxënës.
Në anën tjetër, drejtori Bala, sqaroi se të premten ka marrë njoftime edhe për një rast të dëmtimit të pullazit të një shtëpie në lagjen 2 Korriku në qytet si pasojë e erës së madhe.
Poashtu tha se është rrëzuar edhe një plep në Tunel të Parë, por për fat ska pasur të lënduar.