Emigrantët dërguan 136 milionë euro
Tiranë, 15 dhjetor - Banka e Shqipërisë ka njoftuar se dërgesat e emigrantëve kanë shënuar rënien më të lartë historike që nga fillimi i krizës. Bëhet fjalë për periudhën në nëntë muajt e parë të këtij viti.
Në periudhën janar - shtator, emigrantët shqiptarë u dërguan familjeve të tyre 136 milionë euro më pak se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Rënia është 28.1 për qind, me pasoja të forta jo vetëm për buxhetet e familjeve, por edhe për ekonominë kombëtare, pasi e vetme përfaqëson gati 1.3 për qind të prodhimit të vendit.
Transferet e emigrantëve janë në rënie të vazhdueshme që nga viti 2007, kur arritën pikun me mbi 900 milionë euro, raportojnë mediat e Tiranës.
Atë vit ato përbënin, sipas Bankës Botërore, gati 14 për qind të Prodhimit Nacional të Shqipërisë, duke financuar konsumin e familjeve dhe kërkesën e brendshme në ekonomi.
Për shumë familje në Shqipëri remitencat e mërgimtarëve janë burim jetik të ardhurash dhe tkurrja e tyre mund të rëndojë problemet sociale, veçanërisht duke thelluar varfërinë.
Sipas një studimi të realizuar nga Banka Qendrore në vitin 2009, në Shqipëri përfitojnë dërgesa të rregullta nga jashtë rreth 160 mijë familje dhe 26 për qind e tyre bien automatikisht nën nivelin e varfërisë ekstreme nëse nuk do t'i kenë këto të ardhura.