Eliminohet tatimi i dyfishtë me Hungarinë
Prishtinë, 7 dhjetor - Në Budapest, sot janë finalizuar negociatat në mes të Republikës së Kosovës dhe Hungarisë me qëllim të nënshkrimit të Marrëveshjes për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë dhe Mënjanimin e Evazionit Fiskal.
Këto negociata janë zhvilluar në mes të delegacionit nga Ministria e Financave të Kosovës dhe delegacionit nga Ministria e Ekonomisë Kombëtare të Hungarisë.
Finalizimi i këtyre negociatave në nivel të ekspertëve do të bëjë të mundur që në një të ardhme të afërt të bëhet edhe nënshkrimi formal i kësaj marrëveshje nga përfaqësuesit politik nga të dyja shtetet, në mënyrë që marrëveshja të jetë efektive sa më shpejt.
Kjo marrëveshje është në interes të të dyja vendeve, me qenë se do të bëjë të mundur eliminimin e tatimit të dyfishtë për kompanitë investuese dhe do të ndihmojë mënjanimin e evazionit fiskal.
Marrëveshja në fjalë pritet të jep efekte pozitive në rritjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë si dhe hapjen e mundësive për investime të kompanive kosovare në shtetin hungarez.
Delegacioni Kosovar gjatë qëndrimit në Budapest, do të ketë takime me Administratën Kombëtare për Tatime dhe Dogana, me çrast do të fillojnë edhe negociatat për Marrëveshjen për Bashkëpunim dhe Ndihmë Reciproke në Çështjet Doganore.