16 Nëntor 2024

Eliminimi i faktorëve pengues ndaj NVM-ve mbetet sfidë

Prishtinë, 10 qershor - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Kompaktin e Investimeve për Evropën Juglindore të OECD-së, Komisionin Evropian, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Fondacionin Evropian të Trajnimit (EFT) dhe Qendrën Evropiane të Mësimit (SEECEL), organizuan sot tryezën e rrumbullakët me palët e interesit për Aktin e Vlerësimit të Biznesit të Vogël 2015 (SBA).

Kjo tryezë kishte për qëllim, prezantimin e gjetjeve paraprake gjatë vlerësimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, si dhe diskutimin mbi mospërputhjet e mundshme në analizën dhe vlerësimin e gjetjeve.

Ministrja e MTI-së Hykmete Bajrami, në fjalën e saj shprehu kënaqësinë që po hap këtë takim të rëndësishëm mes palëve të interesit për Dokumentin e Aktit për Biznes të Vogël për Evropën – dokument ky që përfaqëson indekset e politikave themelore për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të Komisionit Evropian si për vendet anëtare ashtu edhe për vendin tonë që ndodhet në procesin e Stabilizim-Asocimit.

Ajo tha se dokumenti i Aktit për Biznes të Vogël është gjithëpërfshirës dhe në indekset e tij shtjellon të gjitha fushat e politikave që kanë të bëjnë me zhvillimin e NVM-ve, me të vetmin qëllim që të krijojmë një ambient të favorshëm të biznesit në Kosovë, duke aplikuar dhe harmonizuar legjislacionin dhe politikat tona me ato të vendeve të BE-së.

Eliminimi i faktorëve pengues ndaj zhvillimit të NVM-ve mbetet sfidë e vazhdueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe institucionet që mbulojnë fushat e caktuara dhe shumë të rëndësishme për NVM-të, vazhdoi ministrja duke theksuar se minimizimi dhe eliminimi i barrierave administrative, ulja e kostos dhe kohës së fillimit të vazhdimit të biznesit, thjeshtëzimi në maksimum i procedurave që do të amortizonin burokracinë në administratën e niveleve të ndryshme shtetërore, toleranca zero ndaj korrupsionit dhe abuzimit, ngritja e aftësive teknike dhe inovative të NVM-ve, qasja në më shumë se një treg për NVM-të, janë disa nga fushat që Akti për Biznes të Vogël adreson sfida të ndryshme për faktorët relevant të një vendi.

Ministrja shprehu përkushtimin e saj se do të rritet intensiteti i punës në mënyrë që të arrihet një shkallë sa më e lartë e implementimit të këtij akti, që hap rrugë për integrimin ekonomik të Kosovës në BE dhe që siguron masa dhe politika adekuate për krijimin e një ambienti evropian të biznesit, zhvillimin e NVM-ve, krijimin e vendeve të reja të punës e me këtë edhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Përfaqësuesi i Lartë i Zyres së BE-së dhe Përfaqësuesi e BE-së në Kosovë, Samuel Žbogar tha se Kosova duhet t’i qartësoj prioritetet në shërbim të përmirësimit të situatës ekonomike. NVM duhet të kenë qasje në financa. Ai po ashtu theksoi se rekomandimet nga të gjitha këto dokumente që dalin nga vlerësimi i Aktit për Biznes të Vogël për Evropën duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për politikat e mëtutjeshme të NVM-ve.

Ky aktivitet shërben si mënyrë e mirë e ballafaqimit të gjendjes së sotme të NVM-ve dhe gjetjes së rrugëve të reja për përmirësimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të tyre duke zbatuar strategjitë dhe praktikat më të mira të mbështetura në kartën ndërkombëtare të NVM-ve.

Në këtë takim u prezantuan të gjeturat preliminare të vlerësimit të Aktit për Biznes të Vogël– 2015, u identifikuan përparësitë dhe dobësitë në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave, si dhe u krahasua progresi i vendit me vlerësimet e mëparshme .

Mbledhja e radhës do të mbahet në muajin tetor të këtij viti.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)