Ekspozohen mbi katër mijë prodhime kombëtare
Ky aktivitet mbahet për nder të gjashtë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në këtë aktivitet ishin të ekspozuara para konsumatorëve mbi katër mijë prodhime kombëtare nga mbi njëqindë kompani të Kosovës dhe Shqipërisë.
Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se kjo është tryeza e prodhimeve vendore dhe mundësia më e mire që konsumatorët të shijojnë e konsumojnë jo vetëm gjatë festës së gjashtë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, por edhe ditëve tjera.
Gjithmonë konsumatorët kanë të drejtë të kërkojnë kualitet dhe prodhuesit gjithnjë duhet të jenë përgjegjës që të prodhojnë produkte cilësore. Sipas tij institucionet shtetërore duhet të krijojnë politika më të favorshme për zhvillimin biznesit dhe vendit.
Përpjekjet zhvillimore ekonomike nuk janë ndalur as nga AKB-ja, as nga prodhuesit e as nga institucionet, por dihet se edhe çmimi i integrimeve evropiane ka sfidën e saj. Prandaj kërkojmë nga prodhuesit e Kosovës që të kenë prodhime sa më cilësore, institucionet të bëjnë reforma më të mëdha, ndërsa tregtarët dhe konsumatorët të konsumojnë prodhimet vendore, tha Agim Shahini.
Kryetyari i AKB-së shtoi se me zhvillim, cilësi, reforma dhe konsum shteti zhvillohet edhe më shumë e krahas saj edhe standardi i qytetarëve.
Besim Beqaj, ministër i Financave, tha se prodhuesit kanë bërë dhe po bjënë punë të madhe për mirëqenien e shtetit. Ka rritje, por edhe sfida për të ardhmen në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe që duhet të krijohet infrastrukturë më e mirë.
Do të krijojmë ligje të cilat janë në favor të prodhuesve ku duhet të krijohet një parteneritet edhe më i fuqishëm. Qeveria e Kosovës, falë bizneseve ka arritur që të rrit Buxhetin e Kosovës nga 800 milionë në 1 miliardë e 600 milionë sa kemi tash, tha Beqaj.
Ministri i Financave, tha se kontribut i rritjes së buxhetit janë bizneset, por edhe qytetarët dhe ka një rritje ekonomike më mirë se gjithandej rajonit. Prodhimeve vendore po u jepet hapësirë adekuate nëpër tregtore. Ministri shtoi, se Qeveria edhe në të ardhmen do të krijoi lehtësira për bizneset e zhvillimin e tyre dhe vendit.
Ramiz Kelmendi, pronar i Elkos Group, tha se ky aktivitet tregon për akterët që kanë bërë Kosovën të zhvilluar.
Kërkojmë nga prodhuesit që të rrisin prodhimin dhe cilësinë e tyre. Nga institucionet kërkojmë favore, po ashtu kërkohet nga zinxhirët tregtarë që mundësojnë shitjen e prodhimeve vendore dhe nga konsumatorët të konsumojnë prodhimet kombëtare, tha Kelmendi.
Pronari i ELKOS-it, tha se këta akterë edhe në të ardhmen do të zhvillojnë shtetin, punësojnë qytetarët dhe ngritin mirëqenien.
Kjo pjesëmarrje tregon se jemi në përkrahje të vazhdueshme të prodhuesve vendës dhe e cila mbështetje do të vazhdoi e ngritet falë bashkëpunimit të promotorit zhvillues të bizneseve AKB-së, tha Kelmendi.
Java e prodhimeve vendore, vazhdon të shtunën në Fier të Shqipërisë.