Ekspertët rekomandojnë pako stimuluese për bizneset
Perspektiva afariste e të ballafaquarit me këtë epidemi u diskutua dje gjatë një forumi të tillë me Bersant Dishan nga ndërmarrja Recura Financials dhe Astrit Letin nga ndërmarrja Cacttus.
Ky forum online kishte për synim gjenerimin e rekomandimeve të cilat mund të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës në mbështetje të ndërmarrjeve private të cilat po ballafaqohen me vështirësi për shkak të masave të ndërmarra për parandalimin e virusit COVID-19.
Eksperti financiar Bersant Disha tha se meqë kjo situatë është e paprecedentë për vendin tonë, stabiliteti politik është kyç në trajtimin me kohë të të gjitha aspekteve të saj.
Sipas tij, bllokimi i rrjedhës së parasë në ekonomi në mënyrë zinxhirore afekton falimentimin e ndërmarrjeve, rritjen e papunësisë, dhe eventualisht shkakton krizë ekonomike.
Disha theksoi se nëse kjo situatë vazhdon pa përpjekjet e qeverisë për të përkrahur sektorin privat, pasojat do të vihen re në një periudhë shumë të shkurtër kohore.
Veç kësaj, ai shtoi se të hyrat nga shitjet dhe likuiditeti kanë rënë drastikisht në shumë sektorë ekonomik, dhe të njejtat do të ndikojnë në rritjen e vështirësive për pagesa të punëtorëve.
Astrit Leti theksoi rëndësinë e marrjes së vendimeve konkrete të cilat nuk lënë vend për interpretime, sidomos në këtë situatë. Leti tha se krijimi i pakove stimuluese nga Qeveria për bizneset është më se i nevojshëm, gjersa theksoi se për këto masa mund të merret shembull reagimi i shteteve të tjera që poashtu janë prekur nga kjo pandemi.
Sipas tij ndërmarrjet do të kenë nevojë për stimulues të tipit operativ siç janë planet për mbajtje të stafit, sigurim të pagave dhe mbulim të operacioneve të tjera, ashtu që të mund të i mbajnë gjallë veprimtaritë e tyre.
Për më tepër, Leti shtoi se duhet të veprohet me kujdes të shtuar për mos këputjen e asnjë hallke të zinxhirit të furnizimit, ngaqë kjo do të kishte një efekt shumë negativ në të gjithë ekonominë e vendit.
Pjesëmarrësit në forumin virtualë dhe përfaqësues të shumtë të bizneseve kishin mundësi të parashtronin pyetjet, kërkesat dhe rekomandimet e tyre të cilat lidheshin kryesisht me pagesat e detyrimeve tatimore dhe kreditore, por edhe nevojën e krijimit të zinxhirëve të qëndrueshëm të vlerave.
--