Ekonomitë familjare u ofrojnë stabilitet financiar familjeve nevojtare
Prishtinë, 7 prill - Shoqata Humanitare Bamirëse në Kosovë, Nëna Terezë, organizoi konferencën përmbyllëse të projektit Fuqizimi socio ekonomik i grupeve të cenueshme sociale në Kosovë, projekt ky i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Me kohëzgjatje gjatë tërë vitit 2015, e deri në Mars 2016, Shoqata Nëna Terezë, në partneritet me Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, ka asistuar kategoritë e cenuara sociale që jetojnë në vise rurale në Kosovë, respektivisht, familje me të ardhura të pakta, gra vet ushqyese dhe anëtarë nga komuniteti jo shumicë, përmes ofrimit të nën-projekteve të serrave, bletëve, dhe dhive.
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës Nëna Terezë, Zef Shala, ka theksuar se projekti i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka hapur dyert për familjet nevojtare kosovare, të cilët u asistuan me projekte të ekonomisë familjare.
Projekte të tilla të ekonomisë familjare janë mëse të domosdoshme për tu shtuar në numër. Kjo pasi që, përpos që asistohen familjet nevojtare, atyre u ofrohet mundësia për të themeluar dhe mirëmbajtur një biznes familjar, qoftë përmes shitjes së perimeve të kultivuara përmes serrave, mjaltës së përfituar nga bletët, apo qumështit e djathit të marrë nga dhitë. Të tilla benefite u janë ofruar 60 familjeve të cenuara në zonat e Prizrenit, Dragashit, Vitisë (Dabelde), Mitrovicës (Stantërg- Shalë), dhe Vushtrrisë (Qiqavica).\"
\"Shoqata Nëna Terezë, së bashku me Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Kosovë, ka monitoruar vazhdimisht ecurinë e projektit, kështu duke siguruar që familjet nevojtare përfituese të nxjerrin sa më shumë të hyra për të jetuar një jetë të dinjitetshme. Përmes këtij projekti, familjet përfituese kanë rritur dukshëm të hyrat vjetore financiare përmes shitjes së të mirave, kështu duke u bërë financiarisht stabil, dhe të pavarur ekonomikisht, u shpreh Shala.
Christof Stock, Perfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përgëzoi Shoqatën Nëna Terezë dhe Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë për punën e realizuar, dhe siguroi se Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është e gatshme për të vazhduar me projekte të tilla edhe në të ardhmen.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka një traditë të gjatë të angazhimit në komunitet dhe në mbështetjen e iniciativave humanitare si përparësi kryesore. Ne kemi parë si të arsyeshme kontribuimin në një projekt të tillë pasi që stimulimi i bletarisë, si dhe mirëmbajtjes së serrave dhe dhive në komuna të caktuara, paraqesin një potencial shumë të madh për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të Kosovës, tha Stock.
Gjatë konferencës, fjalën e morën edhe përfituesit e projektit të cilët rrëfyen për mundësitë e dhëna për kultivimin e perimeve dhe serrave, prodhimin e mjaltit si dhe përfitimin e dhive, respektivisht.
Përfituesit treguan edhe për mbështetjen që kanë marrur për mirëmbajtjen e të mirave të përfituara përgjatë tërë kohëzgjatjes së projektit, duke u shprehur të kënaqur për suksesin që kanë arritur, dhe mundësinë për të qenë financiarisht stabil përmes shitjes së të mirave.
Prezent ishin edhe Kryetarë të Komunave respektive si dhe perfaqesues te lartë te pushtetit lokal si dhe organizata jo qeveritare
Përgjatë kësaj konference, përveç shpalosjes se sukeseve të projektit, u diskutua edhe rreth sfidave dhe gjetjes së faktorëve kryesor për zbutjen e varfërisë në Kosovë.