Ekonomistët shprehin optimizëm për rritjen ekonomike në Eurozonë
Bruksel, 25 korrik - Ekonomistët janë shprehur me nota optimiste mbi përmirësimin e të dhënave ekonomike në zonën e Euros, të dhëna këto që mund të tregojnë se ajo mund të regjistrojë një rritje të moderuar në gjysmën e dytë të 2013-s.
PMI-ja e Eurozonës u rikthye në korrik në nivelin 50.4, duke shënuar një rritje 1.7 pikë në bazë mujore, si pasojë e rritjes së indekseve të prodhimit dhe shërbimeve, respektivisht me 1.3 pikë dhe 1.4 pikë.
Kjo ishte hera e parë në 18 muaj që të dy këta sektorë kanë shënuar rritje.
Marco Stringa nga Deutsche Bank thotë se: \"Ekzistojnë një sërë faktorësh që mund të rrezikojnë rimëkëmbjen, por edhe nëse niveli bazë i rimëkëmbjes është sa gjysma e asaj që kemi parë gjatë muajve të fundit, përsëri jemi drejt një gjysmë viti më pozitiv\".