Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 2.1%
Tiranë, 18 dhjetor - Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 2.1% dhe borxhi publik parashikohet të shkojë në 74.8% në 2014-ën, thuhet në projektbuxhetin e paraqitur nga qeveria në parlament.Në të përfshihet një paketë e re fiskale për tatimin mbi fitimin në bazë të nivelit të pagave. Gjithashtu priten lehtësime fiskale për bizneset e vogla dhe rritje e taksave për kompanitë e mëdha.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj tha se nga taksa progresiste, që zëvendëson atë fikse prej 10%, do të përfitojnë 97% e shqiptarëve. Sipas tij, nga aplikimi i saj do të jenë në dispozicion për konsum 15 milionë dollarë.
Ndërsa ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se buxheti për vitin e ardhshëm është hartuar në bashkëpunim me FMN-në dhe Bankën Botërore me synimin për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik afatgjatë.
Parlamenti pritet të votojë dokumentin më 28 dhjetor.