Ekonomia shqiptare po ringjallet
Tiranë, 11 tetor - Në takimin e përvitshëm të FMN-së dhe Bankës Botërore, ministri i financave dhe ekonomisë italiane, Pier Carlo Padoan, i cili përfaqëson Shqipërinë dhe disa vende te tjera europiane në bordin e FMN-së deklaroi se rritja ekonomike e Shqipërisë u përmirësua në gjysmën e parë të vitit 2014, si pasojë e rritjes së eksporteve dhe kërkesës së fortë private.
Sipas ministrit italian, autoritetet shqiptare mbeten të vetëdijshëm se borxhi publik, aktualisht mbi 70 % të GDP-së, është i lartë, por janë të angazhuara për ta ulur atë.
Duke vënë në dukje politikën konsoliduese fiskale, ministri italian i financave, shton se perspektiva afatmesme dhe ajo afatgjatë për ekonominë shqiptare mbetet pozitive, përballë përpjekjeve për ndërmarrjen e reformave strukturore dhe uljen e dobësive në sektorin energjetik.