Ekonomia ruse në krizë, vendit po i shterojnë paratë
Vendi përballet me një listë të gjatë problemesh. Fillimisht çmimi i naftës, i cili në dy vitet e fundit gati është përgjysmuar. Shteti dhe firmat kanë tani shumë më pak të ardhura.
Stefan Meister, ekspert gjerman i Shoqërisë Gjermane për Politikën e Jashtme, thotë për Deutsche Welle se është e vështirë të financosh buxhetin me këto çmime të gazit dhe naftës. Sanksionet e Perëndimit që pasuan aneksimin e Krimesë dhe konfliktin me Ukrainën e kanë rritur presionin.
Tregtia ka pësuar goditje të fortë, madje nga kjo vuan edhe tregtia gjermane e automjeteve dhe prodhimit të makinerive. Për Rusinë është më e vështirë sepse sanksionet vështirësojnë financimin e investimeve.
Sanksionet perëndimore i kanë hequr mundësinë firmave dhe bankave tona të huazojnë para jashtë vendit, dhe jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën, thotë Vladimir Milov, drejtor i Institutit të Moskës për Politikën Energjitike. Askush nuk na huazon para, madje as Kina, vijon ai. Milov është themelues e kryetar i partisë opozitare, Zgjedhja Demokratike.
Kreditë qe kanë qenë baza e rritjes ekonomike ruse në vitet e fundit, janë reduktuar nga 700 miliardë dollarë në vitet e kaluara në 470 miliardë dollarë aktualisht. Rrjedhja e ndjeshme e kapitalit jashtë vendit ka luajtur rol negativ duke bërë që rubla të humbasë gjysmën e vlerës përballë dollarit.
Këtyre problemeve u shtohen edhe ato strukturore që sipas eskpertëve kanë qenë të ndjeshme që para sanksioneve dhe rënies së çmimit të naftës. Pyetja më e rëndësishme, sipas Deutsche Welle, është se kur do ti mbarojnë Rusisë paratë.
Po qe se çmimi i naftës nuk rritet, Rusia mund të vazhdojë dy ose tre vjet kështu, thotë Stefan Meister, por treni ndjek drejtimin e përplasjes. Eksperti pret që regjimi të ashpërsojë konfliktin me Perëndimin, në mënyrë që të largojë vëmendjen nga kriza ekonomike.