Ekonomia ruse mund të bie edhe në vitin 2016
Rusia po kalon kohë të vështira me rënien e çmimit të naftës, sanksioneve ekonomike për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë në vitin 2014, rënies së vlerës së rublës dhe dobësimit të rritjes ekonomike.
Në bursën e Moskës dollari e kapërceu rekordin e dhjetorit 2014 dhe është këmbyer me 75 rubla, ndersa kursi i euros arriti deri në 80,29 rubla.
Dobësimi i monedhës kombëtare ruse përballë valutës u realizua në varësi të rënies së çmimit të naftës.
Rritja ekonomike e Rusisë filloi të bjerë me shpejtësi në tremujorin e parë të vitit 2012, relativisht shumë kohë para rënies së çmimit të naftës, apo vendosjes së sanksioneve ekonomike.
Ndërkaq Banka Botërore për ekonominë ruse parashikon që këtë vit të jetë në stanjacion, kurse tkurrja ekonomike të jenë në nivelin e 0,7%.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore vitin e kaluar ekonomia ruse u zvogëlua me 3,8%.
Banka Botërore vlerëson se deri në vitin 2017, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Rusisë do të jetë më i vogël se në vitin 2012.
Ish Ministri i Financave i Rusisë, Alexei Kudrin, mendon se ekonomia mund të bjerë në vitin 2016, megjithëse shton që në vitin 2017 ka mundësi për rritje ekonomike.
Por i një tjetër mendimi është eksperti i njohur për Rusinë, Timothy Frye, i Institutit Harriman të Universitetit Kolumbia.
Ai thotë: Mendoj se tani më e keqja ka mbaruar. Nga viti 2012 deri në vitin 2015, rritja ekonomike në Rusi u ngadalësua me rreth 1.5 deri 2 për qind në vit. Në tremujorin e fundit pamë fillimin e stabilizimit të ekonomisë dhe përshtatjen e saj me realitetin e ri të çmimeve më të ulëta të naftës."
Ai shton: Prandaj, megjithëse parashikimet janë për një rritje 0, ose 0,5 për qind, apo ndoshta deri në 1 për qind për vitin e ardhshëm, shqetësuese për ekonominë ruse është fakti se askush nuk parashikon një rritje ekonomike më të madhe se 1, apo 2 për qind, pa u bërë më pare ndryshime të rëndësishme në politikat qeveritare."
Prof. Frye mendon se njerëzit nuk presin që politikat qeveritare ekonomike të sjellin shumë ndryshime, sepse ato do të ishin me kosto të madhe politike.
Janë bërë mjaft përpjekje nga qeveria ruse që firma të fuqishme si Gazprom dhe Rosneft, të pakësojnë rezervat e tyre valutore, me qëllim që të forcohet rubla.
E njëjta gjë mund të thuhet për qëndrimin e qeverisë ndaj oligarkëve, ata që kanë bërë miliarda, kryesisht në industritë e naftës dhe të gazit, që nga koha e privatizimit të tyre. Qeveria po ushtron presion ndaj tyre, duke u kërkuar ndihmë.