Ekonomia ruse është goditur nga rënia e investimeve
Moskë, 29 dhjetor - Gjatë katër viteve të fundit, ekonomia prej 1,7 trilionë dollarësh e vuri Rusinë në mesin e 20 ekonomive më të mira të botës.
Por në vitin 2018, ajo është goditur me probleme që rrjedhin nga rënia e investimeve, zgjerimi i pronësisë shtetërore të ndërmarrjeve dhe sanksionet e Perëndimit pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.
Tani, një rritje në tatimin mbi vlerën e shtuar dhe normat e interesit po shkaktojnë paralajmërime për inflacion.
Zëri i Amerikës njofton se si këto paralajmërime po prekin moskovitët që përgatiten për festimet tradicionale të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Nga shfaqjet plot drita në Sheshin e Kuq, është e vështirë të thuash se rusët janë të shqetësuar për problemet ekonomike që kanë përpara.
Është e qartë në zonën e dyqaneve të shitjes me pakicë të Moskës se disa njerëz janë në gjendje të mirë ekonomike.
" Unë nuk planifikoj të kursej. Kjo është një festë e planifikuar dhe buxhetin e kam caktuar tashmë."
Por për blerjet më të mëdha të vitit, jo të gjithë shpenzojnë pa rezerva.
Disa - veçanërisht në mesin e 40 milion pensionistëve të Rusisë - janë të shqetësuar nëse kanë para të mjaftueshme për Vitin e Ri.
"E shoh se situata mes njerëzve të zakonshëm nuk po përmirësohet." // "Dua që dikush të mendojë më shumë për pensionistët", thotë Tatyana një pensioniste e Moskës.
Këto shqetësime nuk janë të pabaza në një ekonomi që analistët e përshkruajnë si "kontradiktore".
"Pavarësisht nga fakti që kemi rritje ekonomike, kemi pasur për vite me radhë pakësim të të ardhurave reale." // "Ja një paradoks rus: paga të larta, paga në rritje dhe zvogëlim i të ardhurave reale. Kjo është e gjitha pasojë e ekonomisë së zezë, e cila nuk ka ndonjë taksë zyrtare", thotë Andrei Kolesnikov me qendrën Carnegie në Moskë.
Analistët parashikojnë një rënie të përgjithshme në shpenzimet e këtij sezoni - për shkak të sanksioneve ndërkombëtare dhe politikave qeveritare që përfshijnë tatime më të larta dhe rritje të normave të interesit.
Drejtimi i ekonomisë në vitin 2019 do të jetë vendimtar për Presidentin Vladimir Putin, mbështetësit e të cilit jetojnë më së shumti larg ndriçimit dhe dritave të kryeqytetit.
Për rusët, ky është një shans për të ngrënë, për të pirë dhe për t’u përgatitur për çfarëdo që sjell Viti i Ri.