Ekonomia mund të zvarrisë liberalizimin e vizave në Kosovë
Prishtinë, 12 dhjetor - Misioni faktmbledhës i Komisionit Evropian sapo ishte në Kosovë për të mbledhur fakte mbi ecurinë dhe përparimin në fusha të ndryshme të shtetit kosovar.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se misioni faktmbledhës i Komisionit Evropian ka qëndruar në Kosovë, për tu njohur nga afër me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët në zonën Schengen.
Ata shprehen se \"komisionerët përgjithësisht kanë pasur vlerësime pozitive mbi riatdhesimin, ri-integrimin dhe sigurinë\".
Koordinatori i procesit të liberalizimit të vizave në Qeverinë e Kosovës, Besnik Vasolli ka deklaruar se misioni tetë anëtarësh, nga Komisioni Evropian, ka realizuar shumë vizita nëpër institucione e mjedise të ndryshme në Kosovë.
Vasolli veçoi dokumentacionin biometrik, duke thënë se misioni kishte vlerësuar përmbushjen e kritereve në këtë pikë, shkruan Evropa e Lirë.
Komisionerët kërkuan përkushtim më të madh në verifikimin e të dhënave për personat që kërkojnë dokumente personale, tha Vasolli, duke shtuar se sfidat dhe gjetjet e emëruara nga ky mision, janë të plotësueshme dhe nuk paraqesin problem.
Shenolll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane thotë se institucionet kosovare kanë shënuar përparime në fushën e liberalizimit të vizave, por megjithatë, sipas tij, mbetet ende punë për tu bërë.
Ai theksoi se Qeveria e Kosovës këtë proces duhet ta vështrojë edhe nga aspekti i kushteve socio-ekonomike në vend.
\"Kjo çështje ka të bëjë edhe me situatën socio-ekonomike në Kosovë, me kushtet e jetesës dhe punësimin. Kjo qeveri nuk ka bërë sa duhet në këtë drejtim. Nuk ka agjendë të zhvillimit ekonomik, nuk ka agjendë të programit të punësimit, si pasojë situata nuk dallon nga vitet tjera\", tha zoti Muharremi.
Një tjetër vizitë e misionit faktmbledhës ishte realizuar edhe në tetor të vitit 2012, kurse faktet e këtij vizite pritet të publikohen në fillim të vitit të ardhshëm.
/gazetaexpress/