16 Nëntor 2024

Ekonomia maqedonase, e varur nga Kosova

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë, 20 maj - Ngjarjet e fundit në Kumanovë kanë ndikuar edhe në aspektin ekonomik, duke prishur kështu imazhin e një tregu liberal dhe vendi të sigurt për investime.

Ato ngjarje mund t’i kushtojnë Maqedonisë edhe në akumulimin e të hyrave, kur dihet se tregu i këtij shteti është i varur mbi 50 për qind nga tregu i Kosovës. Vetëm për tremujorin e parë të këtij viti nga Maqedonia kanë hyrë mallra me vlerë prej më shumë se 23 milionë eurosh nëpërmjet importit, karshi eksportit që kap vlerën prej 7 milionë eurosh.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se gjatë tremujorit të parë të këtij viti importi nga Maqedonia kap vlerën prej 23.471.248.14 eurosh, ndërsa nga Kosova në Maqedoni janë eksportuar mallra në vlerë prej 7.040.230.42 eurosh.

Zhvillimet në Kumanovë duhet t’i vetëdijesojnë qytetarët e Kosovës

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se zhvillimet e fundit në Kumanovë do të duhej t’i vetëdijesonin shqiptarët dhe si masë preventive ta fillojnë bojkotin e produkteve të Maqedonisë, duke u solidarizuar kështu me viktimat dhe njerëzit, të cilët janë të pafajshëm dhe të maltretuar nga institucionet shtetërore të Maqedonisë.

“Bojkoti do të ishte ndëshkim i madh, i cili do t’i vetëdijesonte edhe vetë maqedonasit se Kosova është një vend që ka pozitë strategjike në aspektin ekonomik dhe politik karshi Maqedonisë. Do të duhej që institucionet ekonomike private, të cilat janë importuese të produkteve nga Maqedonia, si shenjë respekti të protestojnë duke i ndaluar këto importe. U pa se ndaj shqiptarëve së fundmi u përdor forcë e tepruar, joproporcionale, e që shkaktoi dëme të mëdha të pronave të shqiptarëve në Kumanovë dhe gjetiu”, ka thënë ai. Sipas tij, nëse brenda tre muajve nga Maqedonia janë importuar mallra në vlerë prej më shumë se 23 milionë eurosh dhe janë eksportuar mallra në vlerë prej rreth 7 milionë eurosh, kjo tregon se sa i rëndësishëm është tregu i Kosovës për Maqedoninë.

“Ato produkte që importohen nga Maqedonia mund të zëvendësohen lirisht nga Shqipëria. Ekonominë maqedonase pothuajse mbi 50 për qind e mbajnë shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë. Vetëm një analizë e thjeshtë: çdo vikend shkojnë mbi një mijë vetura në Maqedoni dhe atje i shpenzojnë mesatarisht rreth një milion euro. Për çdo vikend qytetarët tanë dërgojnë para të freskëta atje, prandaj duhet që maqedonasit t’i respektojnë shqiptarët edhe për hir të aspektit ekonomik. Qytetarët tanë duhet të marrin mësim që milionat mos t’i shpenzojnë në një vend në të cilin bashkëkombësit tanë keqtrajtohen”, ka thënë Shahini.

Zhvillimet politike kanë ndikim në këtë pjesë të Ballkanit dhe në ekonomi

Drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se në këtë pjesë të Ballkanit është dëshmuar se zhvillimet politike kanë ndikim jashtëzakonisht të madh në raportet ekonomike.

“Sado që është herët të thuhet se çfarë reflektimi do të kenë zhvillimet e fundit në Maqedoni, mendoj se do të ketë një pritje të bizneseve për zhvillimet e reja në rrafshin politik”, ka thënë ai. Sipas tij, shifrat e tremujorit s’duhet të befasojnë, pasi ato janë të periudhave të mëhershme, ndërsa Kosova vazhdimisht ka pasur deficit të lartë tregtar me Maqedoninë.

Bojkotimi i produkteve do ta dëmtojë e Maqedoninë

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri, ka thënë se ngjarjet e fundit në Kumanovë kanë qenë tronditëse për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe se kjo vërehet me mbështetjen e fuqishme në rrjetet sociale për Kumanovën nga qytetarët e Kosovës, madje edhe fushata për t’i bojkotuar produktet e Maqedonisë do ta ketë efektin e vet negativ. Sipas tij, qytetarët me të drejtë do të hezitojnë t’i blejnë produktet e Maqedonisë, përderisa pushteti vret, maltreton, djeg shqiptarët në Kumanovë, sikur dikur Millosheviqi në Kosovë.

“Unë si qytetar kam hezitim t’i blej ato produkte që mbajnë emblemën ‘Made in Macedonia’. Edhe popullata në Kosovë është shumë e ndjeshme kur preken interesat e shqiptarëve kudo që janë ata. Kjo rrjedhimisht ndikon edhe në refuzimin për t’i blerë ato produkte dhe për pasojë ndërmarrjet importuese të Kosovës do të detyrohen të gjejnë zëvendësim nga rajoni për ato produkte”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq sa i përket importit prej mbi 64 milionë eurosh nga Serbia, ai ka thënë se është vërtet shqetësues pushtimi i tregut i Kosovës nga produktet serbe.

“Duke marrë parasysh se shumë herë ka rezultuar që disa nga ato produkte janë edhe kancerogjene e me afate të skanuara, nuk ka siguri nga produktet serbe. Këtu lind pyetja sa nacionalistë jemi ne, sa shumë e duam produktin vendor, sa shumë që proklamojmë në rrjetet sociale ‘Duaje tënden’, e ne realitet konsumojmë prapë shumë produkte serbe”, ka thënë ai. Sipas Beqirit, institucionet tona po e legjitimojnë këtë disbalancë tregtare sa iu përket eksporteve dhe importeve me Serbinë. Beqiri e ka kritikuar edhe organizimin e dy odave ekonomike pasi, sipas tij, bashkëpunimi me tregun e Serbisë për Kosovën është një dëm i madh. “Këto ditë Oda Ekonomike e Kosovës organizoi takim me Odën Ekonomike Serbe. Ky është një dëm i madh për ekonominë e Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas tij, konsumatorët e Kosovës duhet të konsumojnë produkte me origjinë më të saktë, sidomos produktet nga Shqipëria dhe vendet e Bashkimit Evropian pasi, sipas tij, ato produkte ofrojnë siguri më të madhe për konsumim.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)