Ekonomia informale problem edhe për trustin e pensioneve
Prishtinë, 13 prill - Kryekuvendari, Jakup Krasniqi, priti Bordin e Trustit të Pensioneve të Kosovës i cili edhe u njoftua se Trusti i Pensioneve ka mbi 300 mijë kontribuues, nga të cilët 77 mijë janë nga radhët e shërbimit civil të Kosovës.
Bordi i Trustit të Pensioneve të Kosovës, ishte i përbërë nga Angela Burns, Ymer Havolli, Harvey Kember, Steven Bates, Ruzhdi Morina, të shoqëruar edhe nga Frederick Artesani, përfaqësues i ICO-së dhe Adrian Zalli, drejtor menaxhues i Trustit.Temë thelbësore e këtij takimi njoftues ishte puna e këtij Trusti, sidomos gjatë vitit 2009.
Duke folur për veprimtarinë e gjithëmbarshme, anëtarët e Bordit theksuan se Trusti gjendet në një fazë të rikoperimit të vlerave në aksione.
Ndërkaq, në vazhdim ata e njoftuan kryekuvendarin Krasniqi me të dhënën se deri tash Trusti i Pensioneve ka mbi 300 mijë kontribuues, nga të cilët 77 mijë janë nga radhët e shërbimit civil të Kosovës.
Bordi i Trustit tha se paraqitet problematike çështja e ekonomisë informale, përkatësisht e bizeneseve të vogla, të cilat nuk ofrojnë shënime për të punësuarit, përkatësisht kontribuuesit.
Kur është fjala për investimet e Trustit të Pensioneve, u theksua se investimet janë orientuar në projekte fitimprurëse, ndërsa bëhen investime edhe në sistemin bankar të Kosovës.
Në vijim të bisedës u bë fjalë edhe për çështjen e zgjedhjes së një anëtari të Bordit nga ana e Kuvendit të Kosovës.