Ekonomia globale vazhdon të jetë pjesa më delikate e rimëkëmbjes
New York, 6 tetor - Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se sistemi financiar global është rimëkëmbur deri diku nga kriza ekonomike, por vazhdon të jetë pjesa më delikate e rimëkëmbjes.
Një studim i FMN-së, i publikuar sot, vë në dukje se problemet në sektorin bankar tregojnë se qeveritë duhet të marrin masa të ngadalshme e të kujdesshme para se të tërheqin mbështetjen për institucionet financiare. Në studim bëhet thirrje edhe për sqarimin e rregullave të reja që kanë të bëjnë me kontrollin e sistemit financiar.
Fondi Monetar Ndërkombëtar tha gjithashtu se kriza e borxheve në Evropë ngadalsoi rimëkëmbjen ekonomike, madje paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara përballen me probleme të vazhdueshme në tregun e shtëpive dhe në nivelin e papunësisë.
Ndërsa ekonomitë e zhvilluara përballen me vështirësi, studimi vë në dukje se zhvillimi në ekonomitë e reja është veçanërisht i fuqishëm.
Raporti rutinë i Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi stabilitetin ekonomik publikohet ndërkohë që udhëheqësit e Bankës Botërore dhe FMN-së mblidhen këtë javë në Uashington me zyrtarë nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar reformat financiare, zhvillimin ekonomik dhe çështje të tjera.