Ekonomia globale parashikohet të rritet 6 për qind
Washington, 7 prill - Shpërndarja e vaksinave kundër koronavirusit dhe ndihmat masive qeveritare do të përshpejtojnë rritjen e ekonomisë globale në një nivel rekord këtë vit, një ripërtëritje e fuqishme nga recesioni i shkaktuar nga pandemia, parashikon Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Agjencia huadhënëse, në të cilën marrin pjesë 190 vende të botës, tha të martën se pret që ekonomia botërore të rritet 6% gjatë vitit 2021, 5.5% që ishte parashikuar në janar. Kjo do të ishte rritja më e madhe e ekonomisë globale e shënuar nga FMN-ja që nga viti 1980.
FMN-ja parashikon që gjatë vitit 2022, rritja ekonomike ndërkombëtare do të jetë më e vogël 4.4%, por gjithsesi më e lartë nga parashikimi me 4.2% që u bë në muajin janar.
“Sa vjen e bëhet më e dukshme mënyra e daljes nga kjo krizë shëndetësore dhe ekonomike,” u tha gazetarëve kryekonomistja e FMN-së, Gita Gopinath.
Sipa vlerësimeve të fundit të ekonomistëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia globale u tkurr 3.3% gjatë vitit 2020, pas recesionit shkatërrues që erdhi si rezultat i shpërthimit të pandemisë së koronavirusit në fillim të vitit të kaluar.
Kjo ishte shifra më e ulët vjetore në të dhënat e FMN-së, megjithëse jo aq e rëndë sa rënia prej 3.5% që agjencia kishte përllogaritur tre muaj më parë.
Parashikuesit thonë se pa ndihmën prej 16 trilionë dollarë të qeverive në shkallë botërore, që ndihmuan kompanitë dhe konsumatorët gjatë mbylljeve si rezultat i pandemisë, rënia ekonomike e vitit të kaluar mund të kishte qenë tre herë më e rëndë.
Ekonomia amerikane, më e madhja në botë, tani parashikohet të rritet 6.4% gjatë këtij viti, rritja më e shpejtë që nga viti 1984. Gjatë vitit 2022 ekonomia amerikane parashikohet të ketë një rritje 3.5%/.
Rritja e ekonomisë amerikane po mbështetet nga paketa e ndihmës së Presidentit Joe Biden me një vlerë prej 1.9 trilionë dollarë. Po ashtu përshpejtimi i vaksinimit po bën që shumë amerikanë të kthehen në jetën e tyre të përditshme.
Kina, me ekonominë e dytë më të madhe në botë, e cila vendosi rregulla të rrepta izolimi kundër koronavirusit një vit më parë dhe ishte e para që filloi rimëkëmbjen ekonomike, do të ketë një rritje 8.4% këtë vit dhe 5.6% gjatë vitit 2022, parashikon Fondi Monetar Ndërkombëtar.
FMN-ja prashikon që 19 vendet që përdorin monedhën euro të kenë një rritje të përbashkët ekonomike 4.4% këtë vit dhe 3.8% gjatë vitit 2022. Japonia pritet të ketë një rritje 3.5% këtë vit dhe 2.5% vitin që vjen.
Zonja Gopinath paralajmëroi se rimëkëmbja ekonomike ka gjasa të mos jetë e barabartë. Ripërtëritja pritet të jetë e ngadaltë në vendet e varfëra që nuk mund të përballojnë një stimul masiv qeveritar dhe për vendet që varen nga turizmi.
Dëmi ekonomik nga kriza shëndetësore po “përmbys arritjet në uljen e varfërisë” duke rritur numrin e të varfërve ekstremë me 95 milionë vitin e kaluar, krahasuar me parashikimet para goditjes së pandemisë.
Ajo gjithashtu parashikoi se “shumë prej vendeve të humbura të punës ka gjasa që të mos hapen më”. Kjo për shkak të prirjeve të nxitura nga pandemia, si përshembull shtimi i automatizimit dhe zgjerimi i tregtisë dixhitale, përmes internetit.
Një rimëkëmbje e shpejtë ekonomike në Shtetet e Bashkuara do të bënte që normat e interesit të rriten “në mënyra të papritura”, duke tronditur tregjet financiare dhe tërhequr investimet nga tregjet në zhvillim me borxhe të larta.
Sipas vlerësimit të FMN-së, ripërtëritja e ekonomisë globale do të humbasë gradualisht ritmin dhe do të kthehet tek nivelet para pandemisë, me rritje rreth 3%. Vendet përsëri do të përballen me pengesat që u ndeshën para pandemisë, përfshirë krahun e punës që po plaket në shumicën e vendeve të pasura dhe në Kinë.