Ekonomia është në amulli
Prishtinë, 11 gusht - Profesori dhe njohësi i ekonomisë, Nagip Skënderi, ka thënë se Kosova është në rrethana jo të favorshme ekonomike nga mosndërtimi institucional i organeve shtetërore. Ai ka thënë se zhvillimi ekonomik i vendit edhe më tutje ka mbetur jetim nga institucionet shtetërore.
Në këtë intervistë për Epokën e re, Skënderi ka thënë se ekonomia e Kosovës është larg objektivave të përfshirjes dhe hyrjes në tregjet rajonale dhe atë të BE-së. Në këto rrethana mendoj se biznesi nuk ka mundur ta mbajë veten shumë mirë në rrjedhat ekonomike, sepse i mungonte dhe ende i mungon mbështetja institucionale, ka thënë Skënderi.
Sipas tij, Kosova është në një pozitë kur ekonominë e ka në amulli. Tani kemi një ekonomi e cila është në amulli, e pambikëqyrur institucionalisht, e pandihmuar nëpërmjet instrumenteve makroekonomike-politike, është shprehur Skenderi.
I pyetur se çfarë duhet të bëjë qeveria e ardhshme për zhvillimin ekonomik të vendit, ai ka thënë se kjo do të varet se kush do ta udhëheqë qeverinë.
Varet se kush e ndërton tash qeverinë. Nëse partia e mëhershme e rimerr qeverinë prapë nën udhëheqje, shpresoj se ajo do të vazhdojë programin e vet qeveritar që kishte më herët. Nëse blloku i partive të tjera merr në dorë qeverisjen, atëherë mendoj se do të kemi një konfrontim programesh ekonomike, sepse ka të tillë aty që më herët nuk kanë qenë të kënaqur me zhvillimet ekonomike të qeverisë paraprake, sidomos me procesin e privatizimit, ka thënë Skënderi.