Ekonomia e Turqisë vazhdon të rritet
Ankara, 7 dhjetor - Ndërsa pjesa më e madhe e Evropës po has vështirësi në sigurimin e rritjes ekonomike, ekonomia e Turqisë ka vazhduar të lulëzojë. Ekonomia e Turqisë është rimëkëmbur shpejt nga kriza ekonomike, duke shënuar 10.3 për qind rritje gjatë tre-mujorit të dytë duke arritur në një nivel me Kinën për rritjen më të madhe brenda G20-ës.
Por, siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, analistët paralajmërojnë për shenja jo shumë pozitive në të ardhmen.
Në një nga shumë fabrikat e Aydinlar Construction, biznesi po lulëzon. Kompania jo vetëm që ndërton projekte të mëdha ndërtimi, por edhe materiale ndërtimi dhe është furnizuesi i paisjeve të tilla si turbina dhe pompa.
Një nga drejtuesit, Omer Aydinlar thotë se suksesi vjen nga lidhjet e thelluara të Turqisë me fqinjët e saj në Lindjen e Mesme.
Lindja e Mesme është shumë e rëndësishme për ne. Ka një ndryshim të madh në fakt, gjithnjë e më shumë njerëz nga vende të Lindjes së Mesme, e veçanërisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe, po vijnë në Turqi. Dhe me ndryshimin e lligjeve dhe mjedisit në Turqi, këtu po vijnë shumë investime dhe po krijohen shumë partneritete me Lindjen e Mesme. Dhe sigurisht, që pasi vijnë në Turqi dhe krijojnë partneritete dhe bëjnë biznes këtu, ata tëreqin shumë prej investitorëve turq në vendet dhe rajonin e tyre gjithashtu.
Analistët thonë se përpjekjet e qeverisë turke për të shtuar lidhjet me fqinjët në Lindjen e Mesme janë pjesë e një nisme më të gjerë për ta ulur varësinë e Turqisë nga tregjet evropiane. Por Turqia nuk ka si objektiv vetëm Lindjen e Mesme.
Konfederata turke e biznesit Musiad synon të hyjë në tregjet afrikane. Omer Bollat, ish drejtor i Musiad, thotë se Turqia ka arritur ta kalojë me sukses krizën ekonomike botërore pjesërisht për arsye se në tregun e saj ka një shumëllojshmëri të madhe.
Turqia ka filluar të zgjerojë praninë e saj në tregjet e Eurazisë, vendet e Gjirit në Lindjen e Mesme dhe vendet afrikane, veçanërisht ato të Afrikës Veriore.
Kjo politikë po sjell përfitime duke rezultuar në eksporte rekord.
Natyra e fuqishme e rimëkëmbjes së Turqisë ka të bëjë edhe me fuqinë e sektorit të saj financiar, thotë krye-ekonomisti Emre Yigit i dhomës turke të tregëtisë, Global Securities.
Ne mësuam nga kriza e viteve 2001-2002, kur kaluam periudhën tonë të rënies së bankave, e cila na kushtoi rreth 30 deri në 35 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto deri sa arritëm ti rregullojmë gjërat përsëri.
Sektori bankar i vendit pas politikave të FMN-së dhe krizës bankare është ndër më të rregulluarat në botë. Edhe niveli i borxhit privat është ndër më të ultët në botë mes vendeve të G20-ës dhe qeveria këtë vit e ka ulur deficitin e saj buxhetor.
Yigit thotë tani se gjërat janë shumë mirë, por paralajmëron se mund të ketë probleme në të ardhmen.
Fakti që ne po i kalojmë partnerët tanë evropianë me një masë prej 5 apo 10 herë më shumë këtë vit do të thotë se llogaria jonë ka arritur një deficit që ka të ngjarë të zgjerohet vitin e ardhshëm dhe kështu mund të arrijmë në vendin e tretë apo të katërt në botë për nga deficiti. Nuk mendoj se kjo është e qëndrueshme edhe në një periudhë afat-mesme.
Analistët pajtohen se megjithëse rimëkëmbja e saj ka qenë shumë e mire, varësia e Turqisë tek importet dhe rritja e kërkesës në vend janë problem që mund të ketë pasoja fatale: një deficit i madh që financohet nga investime spekulative. Kjo do ti jepte fund lulëzimit ekonomik të Turqisë duke shkaktuar pasoja të konsiderueshme.