Ekonomia e Shqipërisë vazhdon të rritet
Tiranë, 2 shtator - Harmonizimi i politikave financiare, do të ndihmojë në rritjen ekonomike. Një fakt të tillë e ka pohuar gjatë një konference për shtyp, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Sipas tij, është e pandryshuar norma bazë e interesit, prej 5.25%, ndërsa inflacioni në korrik ka qenë në vlerën prej 3.6%.
Ndërsa në lidhje me investimet private, ai tha se ato kanë një ecuri të ngadaltë.
\"Shpenzimet buxhetore janë shtuar me 5.9%, kurse deficiti buxhetor është më i lartë se në vitin 2010.
Eksportet tona u zvogëluan. Ndërsa tregjet financiare kanë patur ritme të qeta\", tha mes të tjerash kreu i BSH-së.
Duke folur më tej pas mbledhjes së Këshillit mbikqyrës të BSH-së, shefi i kësaj të fundit tha se ka një rënie të inflacionit në vend, ndërsa ecuria e çmimit të konsumit, ndodhet nën presionin e rritjes së energjisë.
\"Ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet. Aktiviteti ekonomik i mbështetur nga sektori publik, ndërsa sektori privat i ekonomisë, i ngadaltë.
Sugjerojmë vazhdimësi të rritjes ekonomike, ndërsa presionet inflacioniste pritet të jenë të kontrolluara.
Kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme, kurse në të ardhmen do rishikohet politika monetare.
BSH e angazhuar për zhvillimin e qëndrueshëm dhe masat e marra për krizën greke po japin efekt.
Sektori bankar në Shqipëri është solid dhe ai është i gatshëm të japë kredi\", përfundoi Fullani.