Ekonomia e Shqipërisë po përballet me rënie pagash
Tiranë, 7 dhjetor - Të dhënat e fundit zyrtare të Institutit të Statistikave dhe Bankës së Shqipërisë tregojnë se për herë të parë, që nga viti 2000 ekonomia po përballet me rënie pagash.
Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit paga mesatare në Shqipëri ra me 8.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Rënia ka ardhur e gjitha nga sektori privat.
Në shtet sipas INSTAT, pagat reale u rritën me 5.3 për qind. Tkurrja e fortë në sektorin privat është një përpjekje e bizneseve për të shkurtuar kostot në një periudhë të vështirë ekonomike. Por rënia e tyre godet direkt të ardhurat e familjarëve.
Sipas Bankës Botërore, pagat janë burimi më i rëndësishëm i të ardhurave të një familje në shqipëri me mbi 40 për qind të totalit. Por pagat nuk janë zëri i vetëm në të ardhurat familjare që po tkurret.
Edhe disa burime të tjera të rëndësishme si dërgesat e emigrantëve apo dhe fitimet e biznesit të vogël kanë rënë, që do të thotë se kriza po i shtrëngon efektet në buxhetet e familjeve shqiptare.
Banka e Shqipërisë vëren se treguesi i të ardhurave të disponueshme, i cili tenton të masë të ardhurat neto të familjeve duke i zhveshur nga taksat që ato paguajnë është duke u ngadalësuar nga viti në vit.
Kjo tendencë është sinjal jo optimist për ekonominë, duke zbehur shpresat për rigjallërimin e konsumit dhe rritjes ekonomike.