Ekonomia e Shqipërisë do të zgjerohet me 2.7 përqind
Tiranë, 30 shtator - Banka Botërore thotë se ekonomia e Shqipërisë do të zgjerohet me 2.7 përqind për vitin 2015 dhe parashikon një rritje prej 3.4 përqind për vitin pasardhës.
Në një raport të publikuar ditën e hënë për ekonomitë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, BB thotë se ekonomitë e rajonit po rifitojnë rritjen graduale të ekonomisë, që do të vijojë edhe për dy vitet e ardhshme, nxitur më shumë nga ulja e çmimit të naftës, rritja e kërkesës, por edhe përmirësimi i situatës ekonomike globale.
Në Shqipëri, rritja është nxitur kryesisht nga investimet private dhe eksportet, ndërsa konsumi ka mbetur i ulët, duke reflektuar besimin e ulët të konsumatorëve. Investimet publike, të cilat janë zgjeruar deri tani, mund të preken nga përpjekjet për konsolidim fiskal, në mungesë të përshtatjeve të tjera, thuhet në pjesën për Shqipërinë në raportin e BB-së.
Për vitin e ardhshëm, BB parashikon një rritje prej 3.4 përqind për ekonominë tonë dhe 3.5 përqind për vitin 2017.
Sa u takon vendeve të rajonit, parashikimet për rritjen më të lartë ekonomike janë për Kosovën dhe Malin e Zi, ndërsa më të ultat janë për Serbinë. Si mesatare rajonale, parashikohet që ky vit të mbyllet me rritjen modeste prej 1.8 përqind, 2.4 për 2016-n dhe 2.7 për vitin pasardhës.