Ekonomia e Shqipërisë bie për 2.26 për qind
Përveç bujqësisë të gjithë sektorët e tjerë kanë regjistruar një aktivitet negativ, sipas të dhënave të publikuara të mërkurën.
Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), në tremujorin e tretë të 2013-s rënia prej 2.26 për qindësh është e lidhur pothuajse me çdo sferë të ekonomisë.
Ndërkohë, aktiviteti bujqësor përsoi rritje me 2.9 për qind në tremujorin e tretë të 2013-s në krahasim me të njëjtën periudhë të 2012-s.
Në tremujorin e tretë grupi i industrive regjistroi një rënie prej 4.6 për qindësh, ku rënia e industrisë përpunuese ra me afro 7 për qind.
Performanca negative është parë gjithashtu në sektorin e ndërtimit, ku rënia ishte 10 për qindësh krahasuar me tremujorin e tretë të 2012-s .
Grupi tregti, hotele dhe restorante pati një rënie prej 3,4 % në tremujorin e tretë të vitit 2013 Në këtë grup, sipas INSTAT-it, rënia me rreth 13 % e degës së hotele dhe restorante dhe degës së tregtisë me 1,6% patën ndikimin më të madh.
Edhe aktiviteti i transportit në tremujorin e tretë të vitit 2013 u ul me 4,2 % krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Ndërsa grupi i Postë dhe Komunikacionit u shfaq me rënie prej 1,2 % në tremujorin e tretë të vitit 2013. Rënie me të lehtë, me 0.5 përqind, regjistroi grupi i shërbimeve.
Në pjesën e parë të vitit aktiviteti ekonomik, qëndroi në nivele të ulta, por pozitive: 1.87 përqind në tremujorin e parë dhe 1.68 përqind në tremujorin e dytë.
Rënia e fortë e tremujorit të tretë rrezikon të kompromentojë edhe parashikimet e qeverisë për një rritje prej 1.3 përqind për 2013.
Ndërkohë që edhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë ishin se ekonomia do të luhatej në të njejtat shifra të gjashtëmujorit të parë edhe në pjesën e dytë të vitit.