Ekonomia e Portugalisë ende e rrezikuar
Lisbonë, 18 gusht - Kryeministri portugez, Pedro Passos Coelho u shpreh se kriza nuk kishte kaluar plotësisht, pavarësisht rezultateve të mira të ekonomisë portugeze gjatë tremujorit të dytë, e cila iu rikthye rritjes pas disa vitesh recesioni.
\"Askush nuk duhet ta marrë për të mirëqenë se kriza ka përfunduar\", deklaroi Passos Coelho.
\"Vazhdojnë të ekzistojnë rreziqe të konsiderueshme veçanërisht lidhur me zhvillimin e politikave evropiane\", tha ai.
\"Por pavarësisht vështirësive të mëdha që kaluam, ne arritëm të mbanim një nivel konstant\", shtoi kryeministri, Passos Coelho duke u shprehur mbi rezultatet pozitive makroekonomike të publikuara gjatë kësaj jave.
Të dhënat e Institutit portugez të Statistikave treguan se Portugalia regjistroi një rritje prej 1,1 për qind gjatë tremujorit të dytë në krahasim me tremujorin e kaluar, falë rritjes së eksporteve.
Në të njëjtën kohë, papunësia u tkurr gjatë kësaj periudhe duke kaluar nga 17,7 për qind në 16,4 për qind.
Rimëkëmbja ekonomike mbetet e brishtë.