06 Nëntor 2024

Ekonomia e Kosovës po rritet me ritëm të shëndoshë

Prishtinë, 11 prill -  Ekonomia në Kosovë është rritur sipas vlerësimeve për 4.4 përqind në vitin 2017, që paraqet ngritje në krahasim me rritjen prej 4.1 përqind në vitin 2016, e shtyrë kryesisht nga investimet dhe eksportet, që përkrahën krijimin e vendeve të punës, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore për ekonominë në Ballkanin Perëndimor, të titulluar “Ndjeshmëritë ngadalësojnë rritjen”.

Parashikimi për Kosovën është pozitiv, me një shkallë të projektuar të rritjes prej 4.8 përqind ndërmjet viteve 2018-2020. Trendi pozitiv i punësimit në Kosovë po ashtu pritet të rritet në vitin 2018. Shërbimet, ndërtimtaria dhe manufaktura pritet të shtojnë vende pune nëpërmjet rritjes më të madhe. Mirëpo, nëse shkalla e pjesmarrjes në fuqinë punëtore rritet sikurse në vitet 2016 dhe 2017, atëherë papunësia mund të rritet edhe më shumë në vitin 2018. 

“Ekonomia e Kosovës po rritet me ritëm të shëndoshë dhe mbi mesataren rajonale mirëpo për të krijuar më shumë vende pune dhe për të mbyllur hendekun me Evropën kërkohet një prodhimtari më e lartë dhe konkurrueshmëri më e mirë jashtë vendit”, tha Marco Mantovanelli, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën.

Rritja në Ballkanin Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, IRJ Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbi) ka rënë në vitin 2017, pavarësisht nga krijimi i 190.000 vendeve të reja të punës në nëntëmujorin e parë të vitit. Sipas raportit, shkalla e rritjes së PBB-së në rajon ra nga 3,1 për qind në 2016 në afërsisht 2,4 për qind në 2017, pas një dimri të ashpër dhe një niveli më të ulët investimesh. Rritja parashikohet të rritet përsëri në 3,2 për qind në vitin 2018 dhe 3,5 për qind në 2019.

“Trendi që shohim në rajon është pozitiv,” thotë Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, “gjithnjë e më shumë njerëz po gjejnë punë dhe pagat janë me trend rritës. Por rritja ekonomike është e cenueshme nga tronditjet e brendshme dhe të jashtme, siç e ka konfirmuar ngadalësimi i saj në vitin 2017. Rritja që parashikojmë për vitet e ardhshme varet nga një kombinim i duhur i politikave dhe rregullave për të mbështetur rritjen ekonomike dhe zbutur dobësitë ndaj tronditjeve.”

Një dimër veçanërisht i ftohtë kërkoi më shumë importim të energjisë, projektet e mëdha të infrastrukturës kërkuan më shumë pajisje nga jashtë dhe rritja e konsumit solli rritje të importit të mallrave—çka kanë çuar në një rishikim të lehtë në ulje të vlerësimit të shkallës së rritjes për vitin 2017 nga parashikimi i mëparshëm, nga 2,6 për qind në 2,4 për qind.

Rritja e PBB-së nga 3 deri në 4,4 për qind në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi u zbut nga shkallë zero e rritjes në IRJ Maqedoni dhe rritje prej vetëm 1,9 për qind në Serbi, e cila është edhe ekonomia më e madhe në rajon.

Parashikimi i përgjithshëm është pozitiv, me rimëkëmbjen e rritjes ekonomike në Serbi dhe IRJ-në e Maqedonisë, me rritjen e investimeve në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, ndërsa rritja në Shqipëri dhe Malin e Zi ka paksa rënie me mbylljen e projekteve të mëdha të investimeve dhe me vijimin e konsolidimit aq të nevojshëm fiskal në Malin e Zi.

Punësimi, sidomos në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, është në rritje në rajon, ku të gjashta vendet e rritën numrin e vendeve të punës në vitin 2017. Norma mesatare e punësimit për Ballkanin Perëndimor është gradualisht në rritje, duke arritur nivelin 42,6 për qind në muajin shtator 2017.

Papunësia në rajon qe 5,6 për qind më e ulët se një vit më parë, ndërsa papunësia te të rinjtë ra nga 37,5 për qind në 2016 në 31,5 për qind në 2017. Por, sipas raportit, ritmi i krijimit të vendeve të punës është duke u ngadalësuar, ku rritja e punësimit në terma vjetorë ka rënë nga 4,5 për qind në 2016 në 3,2 për qind në shtator 2017.

Për ta fuqizuar krijimin e vendeve të reja të punës dhe për ta nxitur rritjen e qëndrueshme në periudhën afatmesme, raporti kërkon ndërmarrjen e reformave strukturore të guximshme. Tronditjet e lidhura me motin, si dimrat e ashpër dhe fatkeqësitë e papritura natyrore, si edhe dobësitë specifike të vendeve, si pasiguria politike, vijojnë ta rrezikojnë rritjen në rajon.

Vendet mund t’i luftojnë efektet e këtyre cenueshmërive duke zbatuar reforma që nxisin zhvillimin e sektorit privat dhe uljen e pengesave ndaj pjesëmarrjes së fuqisë punëtore. Politikat që rrisin kapitalin fizik dhe atë njerëzor, nxisin punësimin dhe përmirësojnë institucionet e tregut mund ta ngrenë njëkohësisht potencialin e rritjes të vendeve të rajonit dhe ta ulin pabarazinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)