20 Nëntor 2024

Ekonomia e Kosovës po rrit konkurrencën në vend dhe rajon

Prishtinë, 8 maj - Panairi i përgjithshëm ndërkombëtar në Prishtinë  filloi në kushte jashtëzakonisht të vështira po e merr rrugën e vet dhe ekonomia e Kosovës po përfaqësohet në mënyrë të denjë çdo vit e më mirë, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në hapje të Panairit “Prishtina 2013”, ku morën pjesë drejtues të resorëve qeveritare që mbulojnë fushat e ekonomisë, përfaqësues të biznesit dhe qytetarë të shumtë.

 Me këtë rast, ministri Beqaj ka vënë në dukje se pas anëtarësimit të Kosovës në BERZH, javën e kaluar ka kaluar strategjia e Republikës së Kosovës në Bordin e BERZH-it, ndërsa në javën e ardhshme bashkë me kryeministrin dhe zëvendëskryeministren do të marrin pjesë në Konferencën vjetore të BERZH-it.

“Strategjia e BERZH-it parasheh diku në këtë vit rreth 150 milionë euro investime në fusha të ndryshme siç janë: investimet në sektorin e energjisë, në sektorin e ndërmarrjeve publike për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në energji të ripërtëritshme. Është paraparë edhe sektori privat andaj iu bëj thirrje që të filloni të mendoni, të aplikoni në BERZH dhe në cilësinë e guvernatorit të Republikës së Kosovës pranë BERZH-it”, tha Beqaj.

Ai tha se në emër të kryeministrit të Kosovës do të mundohet t’i trajtojë sa më mirë, sa më shpejt dhe sa më efektive kërkesat të cilat vijnë nga ana e biznesit, ndërsa ka ftuar sektorin privat që kanë ide për investime  në energji të ripërtritshme të marrin pjesë në Konferencën e donatorëve për sektorin e energjisë së ripërtritshme në Republikën e Kosovës.

Kreu i MZHE-së ka uruar të gjithë pjesëmarrësit që këto ditë të kenë aktivitet të mirë, nënshkrime të kontratave, prezantime sa më të suksesshme të produkteve, ndërsa shtoi se ky është argumenti më i mirë që ekonomia e Kosovës po e rrit konkurrencën e vet në vend dhe në rajon.

Nga ana e saj, zv.kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila theksoi se institucioni që e udhëheq është zotuar se do ta përmirësojë ambientin e të bërit biznes, duke bërë reforma rrënjësore për t’ua bërë të mundur bizneseve operimin më lehtë në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të mbështesë ndërmarrësinë dhe inovacionin në mënyrë që vendi ynë të ketë sa më shumë biznese të suksesshme, të cilat janë financiarisht të qëndrueshme dhe që mund të mbijetojnë në tregun e hapur vendor, rajonal e global”, theksoi Kusari-Lila.

Ndërsa,  ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku tha se Bashkimi Evropian më shumë  se union politik është një union ekonomik dhe ideja e BE ka lindur nga ideja dhe nevoja për një treg të përbashkët.

“Fatkeqësisht Kosova nuk ndan ende relacion kontraktual me BE-në, e mira është që ne tani do të fillojmë negocimin e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit  e cila në masë prej 70 për qind është në fushën e tregtisë dhe unë shpresoj që deri në vitin tjetër  këtu në këtë panair Kosova ta ketë të nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe mallrat dhe produktet kosovare të jenë në gjendje të qarkullojnë lirshëm në Evropë”, tha ajo.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet  Gërxhaliu tha me këtë rast se OEK si kusht e ka të kontribuon në zhvillimin ekonomik sa më shumë që është e mundur, dhe shtoi se beson që vula e fitoreve politike është zhvillimi ekonomik.

Sipas tij, kur bisedohet për zhvillim ekonomik sektori privat është bartësi kyç i kësaj beteje dhe komuniteti i biznesit mund, di dhe do të ia dalë të jetë shtytës i këtyre proceseve dhe me një mbështetje dhe partneritet të mirëfilltë institucional do të ia dalin së bashku.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)