Ekonomia e Kosovës parashikohet të pësojë rënie prej 4.5 për qind
Prishtinë, 29 prill - Banka Botërore (BB) ka parashikuar se Rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të hyjë në recesion në vitin 2020, ku të gjashtë vendet parashikohet të pësojnë rënie, ndërkohë që ato vazhdojnë të ballafaqohen me ndikimet ekonomike të pandemisë së COVID-19.
Rritja rajonale në Ballkanin Perëndimor sipas BB-së parashikohet të jetë në mes të -3 dhe -5.6 për qind, sipas publikimit të fundit të Raportit të Rregullt Ekonomik (RRrE) të Bankës Botërore - i cili shqyrton skenarin bazë dhe skenarin më pesimist në ballafaqimin me pasigurinë e lartë që solli pandemia.
Skenari bazë supozon se shpërthimi i pandemisë në Evropë do të fillojë të ngadalësohet mjaft shpejt, ashtu që masat frenuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit dhe rimëkëmbja graduale mund të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2020.
Skenari më pesimist supozon se shpërthimi do të zgjatet dhe masat frenuese do të mund të hiqen vetëm në fund të gushtit, me rimëkëmbje të aktivitetit ekonomik vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2020.
“Madhësia e recesionit varet nga kohëzgjatja e pandemisë në Evropë. Ndërsa është e vështirë të parashikohet ndikimi ekonomik i vazhdueshëm i pandemisë në rajon, ku ka pak mëdyshje se kjo pandemi është duke bërë rënduar jetën e qytetarëve në mbarë rajonin - duke stërngarkuar sistemet e kujdesit shëndetësor, duke paralizuar aktivitetin ekonomik dhe duke cënuar mirëqenien e qytetarëve,” thotë Linda Van Gelder, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
“Gjatë periudhës afatmesme, rritja në rajon pritet të rikthehet fuqishëm, ndërkohë që aktiviteti ekonomik gradualisht kthehet në normalitet, por kjo do varet edhe nga kohëzgjatja dhe intensiteti i krizës aktuale, si dhe nga hapat që i ndërmarrin politikëbërësit për ta adresuar këtë krizë.”
Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, recesioni do të nxitet nga rënia e ndjeshme e kërkesës së brendshme dhe të jashtme gjatë pandemisë.
Kufizimet e udhëtimit dhe masat e distancimit shoqëror kanë ndikim veçanërisht të thellë në sektorin e turizmit dhe shërbimeve, ku këto të fundit përbëjnë rreth 50 për qind të punësimit total në pesë vende të rajonit, dhe rreth 75 për qind në Mal të Zi.
Përtej kësaj, pengesat në anën e ofertës dhe kërkesa më e ulët prekin shumë sektorë prodhues, ndërsa kufizimet në likuiditetit dhe pasiguria akute ulin investimet.
Risku kryesor për Ballkanin Perëndimor është që pandemia e zgjatur, si dhe recesioni më i thellë në Bashkimin Evropian, do të mund ta vështirësonin përballimin e krizës ekonomike në zhvillim e sipër.
Raporti thotë që masat zbutëse të shpejta, të guximshme dhe të dizajnuara me kujdes mund të kufizojnë ndikimin social dhe ekonomik të kësaj krize.
Qeveritë e të gjashtë vendeve kanë shpallur masa fiskale dhe sociale për të mbështetur ekonomitë familjare dhe bizneset gjatë periudhës së emergjencës - duke filluar nga 1 për qind deri në 6.7 për qind të PBB-së.
Vendet që hynë në krizë me rezerva më të mëdha fiskale dhe rezerva të jashtme kanë më shumë hapësirë për të financuar programe më të mëdha mbështetëse.
Masat afatshkurtra të shpallura janë të nevojshme, dhe përputhen me politikat e ndërmarra nga vendet e BE-së.
Sidoqoftë, në Ballkanin Perëndimor ka më shumë qytetarë që mbështeten në vetëpunësim, punë me orar jo të plotë, dhe të ardhura nga aktivitetet informale. Këto grupe janë më të cenueshme nga kriza, por edhe është më vështirë të mbështeten nëpërmjet masave konvencionale.
Sipas raportit, mbështetje plotësuese - e përshtatur enkas me kontekstin vendor - mund të jetë e nevojshme për të ndihmuar të gjitha grupet e cenuara në rajon.
Disa vende të Ballkanit Perëndimor, për shembull, shpallën zgjerimin e mbulueshmërisë së programeve ekzistuese të transfereve sociale për të mbështetur familjet e vetëpunësuara dhe qytetarët më të cenuar.
Duke pasur parasysh kohëzgjatjen e pasigurt të kësaj krize, politikëbërësit kudo po përballen me të njëjtën dilemë në nivel të politikave: përdorimi i tërë hapësirës fiskale në dispozicion për të zbutur ndikimin e menjëhershëm mund të kthehet si bumerang nëse kriza vazhdon më gjatë.
Prandaj, përgjigjet në nivel të politikave duhet të kalibrohen për të zbutur efektet e menjëhershme, të përshtaten me realitetet e reja që mund të shfaqen, si dhe të lënë hapësirë për të përgatitur ekonominë për rimëkëmbje.
Për Kosovën, raporti parashikon që ekonomia do të pësojë rënie prej 4.5 për qind në vitin 2020, e që do të pasohet me rikthim në rritje në vitin 2021. Shpërthimi i COVID-19 dhe masat e nevojshme të frenimit janë duke shkaktuar presion të paparë për investimet, konsumin privat, por edhe për eksportet dhe remitancat nga diaspora.
Ndërsa konsumi mund të rikthehet ndërkohë që ekonomia rimëkëmbet, eksportet e shërbimeve dhe investimet do të marrin më shumë kohë për t’u rimëkëmbur. Në këtë kontekst, të hyrat publike do të pësojnë rënie të konsiderueshme.
Për shkak se Kosova hyri në krizë me disa mbulesa fiskale (depozitat të larta qeveritare, borxh relativisht të ulët publik), ajo tani ka ca hapësire fiskale për të zbutur efektet e pandemisë, megjithëse kjo hapësirë është e kufizuar nga rritja e njëkohshme e shpenzimeve rrjedhëse.
Sidoqoftë, tejzgjatja e pandemisë dhe masave frenuese mund të çojnë në recesion më të thellë dhe mungesë më të madhe të të hyrave, duke kufizuar më tej hapësirën fiskale për përgjigje në nivel të politikave.
Përveç shtyrjes së përgjithshme të pagesave të detyrimeve tatimore, qeveria në detyrë veproi me shpejtësi dhe shpalli pakon e reagimit ndaj emergjencës prej rreth 2.8 për qind të PBB-së për të mbështetur qytetarët, bizneset dhe profesionet e prekura.
Shënjestrimi adekuat në ofrimin e pakos për më nevojtarët mbetet vendimtar për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm në ekonomi, varfëri dhe shoqëri.
Do të jetë e rëndësishme që të ruhet ca hapësire fiskale për të qenë në gjendje për të ofruar mbështetje plotësuese nëse nevojitet në rast se kriza zgjat më shumë, dhe për të mbështetur më vonë rimëkëmbjen e nevojshme ekonomike.
Banka Botërore është duke finalizuar një program aktivitetesh, që është mund të tejkalojë 120 milionë euro, për të mbështetur Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të COVID-19.
Ky program përfshin një projekt të ri me procedura të përshpejtuara për t’iu përgjigjur prioriteteve urgjente të sektorit të shëndetësisë dhe për të mbrojtur të ardhurat e ekonomive familjare, përfshin ristrukturimin e projekteve tashmë të aprovuara për të mobilizuar fondet në mbështetje të NVM-ve, si dhe mbështetje buxhetore për rimëkëmbjen ekonomike dhe për t’i ndihmuar autoritetet që të plotësojnë nevojat e tyre të financimit.
“Banka Botërore është e përkushtuar të mbetet partner i fortë për Kosovën gjatë këtyre kohërave të vështira dhe ekipet tona po punojnë për t’i ndihmuar Kosovës dhe për t’iu përgjigjur sa më shpejt krizës së COVID-19”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.
“Pas aprovimit nga Banka Botërore, është i nevojshëm nënshkrimi i shpejtë i marrëveshjes nga Qeveria si dhe ratifikimi nga Kuvendi për të siguruar që fondet janë në dispozicion për të përfituar Kosova dhe qytetarët e saj”.
Raporti përqendrohet në impaktin makroekonomik të COVID-19 në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke zbërthyer kontekstin për analiza plotësuese.
Një seri e shënimeve të Raportit të Rregullt Ekonomik, që shqyrtojnë impaktin në fushat specifike ekonomike, sektorët shoqërorë dhe mbi varfërinë dhe distribuimin e të ardhurave në rajon, do të publikohen në mënyrë elektronike në muajin maj.