Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 3.5%
Prishtinë, 21 qershor - Shqyrtimi i Raportit të punës së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2015, ishte temë qendrore në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, e cila u mbajt sot, e kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit.
Këtë raport, para anëtarëve të Komisionit e paraqiti guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Bedri Hamza, i cili vuri në dukje punën e deritashme, gjendjen aktuale ekonomike, si dhe parashikimet e BQK-së lidhur me stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik gjatë këtij viti.
\"Gjatë vitit 2015, BQK-ja ka realizuar me sukses objektivat e saja duke arritur të ruajë një sistem financiar të qëndrueshëm\", tha Hamza.
Duke iu referuar vlerësimeve të BQK-së, ai tha se në vitin që lamë pas, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 3.5% deri në 4.0%, të dhëna këto, sipas tij, të konfirmuara edhe nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës. Kjo rritje, vlerësoi guvernatori Hamza, është bazuar në investime publike dhe konsum privat, në rritjen e remitencave, ngritjen e pagave, si dhe shtimin e të ardhurave të ekonomisë kombëtare.
Foli më pas edhe për gjendjen fiskale, për të cilën vlerësoi se është e kënaqshme, ndërkaq, bëri të ditur se deficiti buxhetor është 1.3% e BPV-së.
Përsa i përket borxhit publik, guvernatori njoftoi se ai arrin në 13% të BPV-së, gjë që sipas tij, është niveli më i ulët në rajon dhe lehtë i përballueshëm.
Të rëndësishëm guvernatori Hamza e vlerësoi edhe rënien e normave të interesit në kredi, për të cilat ai njoftoi se janë zvogëluar në nivelin e vendeve të rajonit. Aktualisht, th ai, ato janë në normën 7.7%, ndërkaq, në vitin paraprak ato arrinin normën prej 9.3%.
Lidhur me parashikimet e BQK-së, e që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik për këtë vit, guvernatori Hamza, tha:\" Rritja ekonomike për vitin 2016 pritet të jetë prej 3.7% deri në 4%\".
Pas kësaj, anëtarët e Komisionit diskutuan lidhur më raportin që e paraqiti guvernatori Hamza, i cili edhe u është përgjigjur pyetjeve dhe interesimit të tyre.
Më pas, Komisioni e miratoi këtë raport së bashku me rekomandimin që guvernatori Hamza, të njëjtin ta paraqesë edhe në mbledhjen plenare të Kuvendit. Po ashtu, në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu në parim edhe Projektligjin për ndihmë shtetërore, të cilin para komisionit e paraqiti ministri i Ministrisë së Financave, Avdulla Hoti.
Është shtyrë për mbledhjen e radhës, ndërkaq, shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2015.